Ferizaj del me komunikatë pas ndeshjes finale ndaj Dukagjinit
Sport
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Ferizaj del me komunikatë pas ndeshjes finale ndaj Dukagjinit
ferizaj
22/05/2026 - 16:56
Linku u kopjua

Ferizaj ka dalë me një komunikatë publike pas finales së Kupës së Kosovës ndaj  Dukagjini, ku shpreh pakënaqësi të theksuar siç thuhet nga klubi, vendimet e gjyqtarit kryesor të ndeshjes, Genc Nuza.

Sipas klubit, ndeshja finale ishte përgatitur me seriozitet të madh dhe me synimin për t’i sjellë qytetit të Ferizajt një moment historik. FC Ferizaj thekson se pati mbështetje të madhe nga tifozët, veçanërisht nga grupi “Ujqit”, të cilin e cilëson si zemrën e klubit.

Megjithatë, në komunikatë klubi pretendon se dy situata të dyshuara për penallti nuk u akorduan në favor të tyre, pavarësisht ndërhyrjeve dhe rishikimeve nga sistemi VAR. Rasti i parë lidhet me një ndërhyrje ndaj kapitenit Betim Haxhimusa nga portieri kundërshtar, ndërsa rasti i dytë me një prekje të topit me dorë nga një lojtar kundërshtar në fund të ndeshjes.

“Dy penalti të pastra, sipas bindjes sonë, nuk u akorduan në favor të FC Ferizajt.Rasti i parë ndodhi në pjesën e parë, kur portieri kundërshtar ndërhyri ndaj kapitenit tonë Betim Haxhimusa. Rasti u kontrollua edhe nga VAR, por kjo nuk e bindi referin të ndryshojë vendimin. Madje, sipas asaj që iu komunikua kryetrajnerit tonë Arsim Abazi, u tha se: “VAR po më thotë që është penallti, mirëpo për mua nuk është penallti, por faull në portierin” – njofton skuadar e Ferizajit.

Ferizaj gjithashtu shpreh pakënaqësi për menaxhimin e kohës shtesë, duke e konsideruar të pabalancuar në raport me ndërprerjet gjatë lojës dhe kontrollimet e VAR-it.

Në shenjë proteste ndaj vendimeve të ndeshjes, klubi deklaron se nuk i ka pranuar medaljet e argjendta pas përfundimit të finales. Po ashtu, Ferizaj thekson se këto shqetësime nuk janë të izoluar vetëm në këtë ndeshje, por sipas tyre kanë qenë të pranishme gjatë gjithë sezonit.

Në fund të komunikatës, klubi shprehet se do të riorganizohet dhe do të rikthehet më i fortë.

KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026