Federatat ankohen në MKRS, thonë se kategorizimi është bërë në mënyrë të padrejtë
Sport
Lexohet për: 4 min.
WH-RKS110
2 orë më parë
Linku u kopjua

Kategorizimi i sporteve për vitin 2025 i shpallur javën e kaluar nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport ka ngjallur reagime dhe pakënaqësi te shumë federata të cilat vlerësojnë se nuk u janë njohur shumë pikë ani pse kanë pasur aktivitete vendore dhe ndërkombëtare.

Në Federatën e Basketbollit, që renditet në kategorinë B, thonë se Komisioni i MKRS-së nuk ua ka njohur fare aktivitetet ndërkombëtare të gjeneratave të reja ani pse ato ishin mjaftë të suksesshëm.

Sekretarja e FBK-së, Elvira Dushku ka bërë të ditur për KosovaPress se kanë bërë ankesë për këtë diskriminim në MKRS.

“Kemi rritje prej 3.65 pikë në kategorizim, do të thotë që kemi punuar dhe jemi përmirësuar në ato pikë ku ka kërkuar rregullorja ndërsa pritshmëritë tona kanë qenë që të kemi rritje në maksimum deri në 7 pikë dhe pikërisht për këtë arsye rezultatet ndërkombëtare të kategorive të reja të cilat nuk po njihen për shkak se FIBA kampionatet evropiane të kategorive të reja ndahen në divizione dhe në rregullore është e përcaktuar vetëm si kampionate evropiane për të rinj, aty nuk na kanë dhënë pikë...Për këtë arsye ne do të bëjmë ankesë, nuk është që kemi pritshmëri shumë të mëdha që do të merret për bazë, por në anën tjetër pak është e padrejtë sepse aktiviteti është mbajtur”, thotë Dushku.

Dushku bën të ditur se nga mungesa e këtyre pikëve, buxheti i kësaj federate dëmtohet për rreth 300 mijë euro.

“Nuk e di sa do të jetë çmimi për pikë, por jemi duke folur për 250 deri në 300 mijë por megjithatë janë të holla të cilat janë shumë të nevojshme për t’i zhvilluar aktivitetet e të rinjve dhe të përfaqësueseve të Kosovës dhe për këtë arsye ne do të luftojmë që t’i marrim edhe këto pikët e sukseseve te kategoritë e reja”, thekson Dushku.

Të pakënaqur janë edhe në Federatën e Boksit pasi janë renditur në kategorinë C. Sekretari i kësaj federate Latif Demolli thotë së MKRS ua ka hequr 17 pikë në kategorizim dhe presin  që pas ankesës ato t’u kthehen.

“Ne nuk mund të jemi të kënaqur për arsye se pas xhudos boksit është sporti më i suksesshëm në Kosovë me medalje, ne na mungon vetëm medalja olimpike kurse të gjitha medalje botërore, evropiane, mesdhetare e ballkanike i kemi dhe mjerisht na i kanë hequr 17 pikë si sport olimpik...Ndikon shumë sepse një poen vitin e kaluar ka qenë 3 mijë euro dhe është jashtëzakonisht një shumë e madhe dhe është hendikep për boksin kur ne presim këtë vit të kemi sa më shumë kampe dhe gara ndërkombëtare”, deklaron Demolli.

Të pakënaqur me pozicionimin në kategorinë B janë edhe në Federatën e Karatesë. Nazmi Gashi, sekretar i kësaj federate thotë se është mohuar puna dhe djersa e sportistëve dhe trajnerëve të këtij sporti.

“Nuk jemi të kënaqur me këtë për shkak se presim më shumë. Realisht jemi të sanksionuar në tri pika, te rezultatet jemi të sanksionuar...Edhe sportistët edhe trajnerët nuk është vlerësuar fare djersa e tyre nga ky komision. Ne kemi parashtruar ankesat me kohë dhe po shpresojmë që të gjejmë mirëkuptim dhe që rezultatet tona të vlerësohen ashtu siç i kemi...Ne mendojmë që i kemi mangu 19.5 pikë, që i bie një buxhet bukur i madh që ne e kemi mangu”, thotë Gashi.

Ndryshe nga federatat më lartë, ajo më e madhja në vend, Federata e Futbollit të Kosovës nuk do të ankohet në MKRS edhe pse është renditur në kategorinë B.

Në një përgjigje për KosovaPress, kryetari i kësaj federate, Agim Ademi ka thënë se nuk do të bëjnë ankesë sepse besojnë se vlerësimi është bërë nga ekspertë të kësaj fushe brenda Ministrisë së Sportit.

Nga MKRS kanë thënë se nuk duan të komentojnë pasi në ditët në vazhdim do të shqyrtohen ankesat e të gjitha federatave. /A. Bytyçi

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025