Falsifikuan dokumente të një të vdekuri, dyshohet tjetërsim pronash – dëmi 1 milion euro
Siguri
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Falsifikuan dokumente të një të vdekuri, dyshohet tjetërsim pronash – dëmi 1 milion euro
Policia
Foto Ilustruese
20/05/2026 - 18:14
Linku u kopjua

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Falsifikim i dokumenteve”, pas një hetimi disa mujor të zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit.

Hetimet dyshojnë se të arrestuarit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë falsifikuar dokumente identifikimi të Serbisë në emër të një personi të vdekur disa dekada më parë. Duke prezantuar në mënyrë fiktive një person tjetër, ata dyshohet se kanë realizuar procedura ndërmjetësimi dhe më pas, përmes Drejtorisë së Gjeodezisë dhe Kadastrit në Komunën e Prizrenit, kanë arritur të tjetërsojnë 18 prona/parcela me sipërfaqe rreth 3.60 hektarë në një fshat të Prizrenit.

Sipas policisë, vlera e pronave të dyshuara për tjetërsim llogaritet rreth një milion euro, transmeton KosovaPress.

Gjatë kontrollit, policia ka sekuestruar një laptop, dy telefona mobilë, 14 mijë e 600 euro para të gatshme, si dhe dokumentacion të ndryshëm që mund të shërbejë si provë në procedurë.

Njëri nga të dyshuarit, me urdhër të prokurorit kujdestar, është dërguar në mbajtje, ndërsa tjetri është liruar në procedurë të rregullt. Një person tjetër lidhur me rastin gjendet në kërkim policor.

Sipas njoftimit të Policisë, aksioni është realizuar më 20 maj 2026 në rajonin e Prishtinës dhe Mitrovicës, në kuadër të operacionit policor “Pronat në Prizren”, me urdhër të Gjykatës Themelore në Prizren – Departamenti për Krime të Rënda.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026