Çfarë paraqitje fantastike nga “Dardanët” të cilët e kanë mposhtur edhe si mysafirë Kombëtaren e Zvicrës, në kuadër të raundit të tretë parakualifikues të Eurobasket 2025.
Pas katër çerekëve lojë të zhvilluara në parketin e sallës “Site Sportif Saint-Leonard” të Fribourgut, Kombëtarja e Kosovës në basketboll ka korrur fitore përballë Zvicrës, raporton KosovaPress.
Basketbollistët më të dalluar te Kosova ishin Dominic Artis me 20 pikë, gjashtë kërcime e katër asistime dhe Drilon Hajrizi me 17 pikë e tetë kërcime.
Në anën tjetër, më i miri te Zvicra ishte Brunelle Tutonda me 15 pikë, tre kërcime e një asistim.
Tani, Kosova ka një bilanc prej dy fitoreve dhe një humbjeje në Grupin H të kualifikimeve të Eurobasket 2025, bilanc ky i cili e rendit në pozitën e parë me pesë pikë, një më shumë se Danimarka në vendin e dytë, por me një ndeshje më pak të zhvilluar.
Ndeshja e radhës për Kosovën është si vendase kundër Danimarkës më 5 gusht me fillim nga ora 20:45.