Forcat ushtarake të Bashkimit Evropian në Bosnjë dhe Hercegovinë (EUFOR) do të fillojnë stërvitjet ushtarake më 9 shtator, dhe anëtarët e forcës paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë KFOR gjithashtu do të marrin pjesë, njoftoi komanda e EUFOR-it në Sarajevë.
Stërvitjet "Reagimi i shpejtë" janë pjesë e aktiviteteve të rregullta dhe të planifikuara më parë dhe ato do të zgjasin deri më 26 shtator, raporton KosovaPress.
Në stërvitje do të marrin pjesë forca të EUFOR-it nga 25 vende të vendosura në misionin në BeH. Ato do të përforcohen përkohësisht nga njësi rezervë nga Çekia dhe Hungaria, dhe KFOR-i.
"Qëllimi i stërvitjes është të përmirësojë gatishmërinë operacionale të të gjitha forcave të përfshira dhe të konfirmojë mbështetjen e vazhdueshme të EUFOR-it për partnerët e saj në BeH në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm në vend", thuhet në deklaratën e EUFOR-it.
Ish-lideri i Republikës Serbe Milorad Dodik njoftoi se këtë vit do t'i kërkojë Rusisë të vërë veton ndaj zgjatjes së mandatit.