Mbështetshmëria në transkriptet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar nga audiot e vizitave në Qendrën e Paraburgimit në Hagë është e ulët. Kështu ka deklaruar ekspertja e linguistikës forenzike, Helen Fraser e cila është duke dëshmuar në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, në rastin kundër administrimit të drejtësisë, raporton KosovaPress.
Avokati e ish-presidentit, Hashim Thaçi, Sophie Menegon ka vazhduar me parashtrimin e pyetjeve karshi dëshmitares të mbrojtjes ekspertes së linguistikës forenzike, Helen Fraser.
“Në këtë rast çfarë përfundimin keni ju për mbështetshmërinë dhe besueshmërinë e transkripteve të ZPS mbështetur në informacionin që u kemi thënë ju”, pyeti avokatja e Thaçit.
Ndërsa, ekspertja e linguistikës forenzike tha se mbështetshmëria dhe besueshmëria e transkriptave të Zyrës së Prokurorit të Specializuar është e ulët.Tutje, mbrojtja e Thaçit gjatë marrjes në pyetje të ekspertes ngriti dyshime mbi paanshmërinë e transkriptuesve të ZPS-së. Avokatja, Menegon tha se disa prej tyre kishin role të afërta me hetuesit.
“Në hetimet e ZPS-së kemi parë që njëri ishte rishikues dokumentesh, tjetri mbështetës analisti a tregojnë këto një lloj afërsie midis këtyre përkthyesve dhe të hetuesve të ZPS-së a përbënë arsye për të dyshuar lidhur me mbështetshmërinë apo besueshmërinë e transkripteve që janë krijuar nga këta transkriptues”,tha ajo.
Gjatë dhënies së dëshmisë së saj, ekspertja australiane deklaroi se mungesa e vulave të kohës e bën të vështirë procesin e vlerësimit të transkripteve dhe krahasimin me një transkriptë apo përkthim tjetër.
Në këtë rast gjyqësor , nën akuzën për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë janë ish-presidenti, Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu, Isni Klaj dhe Hajredin Kuçi.
Në seancën fillestare më 27 shkurt 2026, të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu ngarkohen./B.Ibishi/