Erion Bajrami transferohet në Bundesligën gjermane të volejbollit
Sport
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Erion Bajrami transferohet në Bundesligën gjermane të volejbollit
Volejbollisti i talentuar gjilanas, Erion Bajrami, ka arritur një moment historik në karrierën e tij duke u transferuar në elitën e volejbollit gjerman te skuadra Helios Grizzlys Giesen.
22-vjeçari, i cili së fundmi shkëlqeu në kampionatin bullgar me ekipin Deya Sport, ka nënshkruar kontratën që e dërgon në njërën nga ligat më të forta të Evropës.
Ky transferim u përshëndet edhe nga kreu i Federatës së Volejbollit të Kosovës, Bahri Gjinovci, i cili priti lojtarin në selinë e FVK-së, duke e vlerësuar këtë lëvizje si një dëshmi të rritjes së cilësisë së sportistëve tanë në arenën ndërkombëtare.
Për Bajramin, kjo aventurë e re në Bundesligë përfaqëson një hap gjigant, duke u bërë volejbollisti i parë kosovar që vesh fanellën e klubit të themeluar në vitin 1981.
"Jam shumë i lumtur për këtë hap të ri në karrierën time dhe mezi pres të jap maksimumin në këtë nivel," u shpreh lojtari, i cili tashmë do të përfaqësojë Kosovën në një kampionat me shikueshmëri dhe rivalitet të lartë.
KosovaPress