Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari Lila deklaroi se ftesa për seancë të jashtëzakonshme është bërë pas dështimit të diskutimeve për zgjedhjen e presidentit, raporton KosovaPress.
Ajo ka folur edhe për privatizimin e Distribucionit dhe Furnizimit, për çka i ka reaguar deputeti i PDK-së, Arian Tahiri duke i thënë se me krenari po e promovon këtë privatizim.
“Është interesant se ftesa për këtë seancë të jashtëzakonshme vetëm pas njoftimit se dështuan në njëfarë forme diskutimet për zgjedhjen e presidentit. Disi edhe mbrojtjen e interesit të qytetarëve e vendosët pas interesit se mos po arrijmë ndonjë marrëveshje e këtë e lamë pastaj. Kjo në esencë e tregon edhe njëfarë sinqeriteti në raport me temat që po doni me i diskutu. E mënyrën se si po shpreheni edhe faktet të cilat po i shtrembëroni në vazhdimësi, në veçanti nga ato që i dëgjova kur erdha këtu, duke u përfolur në vazhdimësi emri im, unë uroj që juve të ju bën me u ndje më lehtë fakti se e zhveshni vetën nga të gjitha përgjegjësitë e juaja të deritashme, ndërsa unë e mbaj të them kryqin e fajit në shpinë edhe e kam fajin për privatizimin, e kam fajin për koordinimin me Listën Serbe, e kam fajin për njehsorët, e kam fajin për çka do që ju bjen në mend përmendmani emrin. Hiç nuk është problem nëse juve ju bën të ndjehni më lehtë”, ka thënë ajo.
Për temën e privatizimit të KEDS-it ka reaguar shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, i cili i tha Kusari-Lilës se me krenari po e promovon këtë proces.
“Paradoksi i fjalimit të ministres është që kjo me shumë krenari po e promovon procesin e privatizimit, përkatësisht KEDS-it. Tash pyetja logjike është: kauza kryesore e Lëvizjes Vetëvendosje dhe e Albin Kurtit që edhe e ka kall Kosovën ka qenë kundër privatizimit, ndërkaq sot pas 26 vitesh del edhe me shumë krenari e promovon procesin e privatizimit edhe e konstaton si storje suksesi. Edhe unë pajtohem që është storje suksesi sepse si rezultat i privatizimit edhe asaj kontrate që janë investuar rreth 400 milionë euro janë eliminuar reduktimet që kanë qenë”, ka thënë ai.