Me rastin e datëlindjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, në sheshin e Prishtinës është organizuar një ekspozitë me piktura dhe skulptura të mbi 40 artistëve nga vende të ndryshme shqiptare.
Secili punim kishte veçantinë e tij, për çka folën edhe vetë krijuesit e tyre, duke treguar specifikat që i karakterizonin pikturat e tyre.
Në ekspozitën e organizuar me iniciativë të shoqatës “Shqiptaria”, Gucia tha se mbi 40 artistë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Lugina dhe Kosova po marrin pjesë me punimet e tyre për nder të ditëlindjes së Skënderbeut.
Njëra ndër pikturat e ekspozuara ishte edhe ajo e piktores, Bija Jasiqi. Portreti i Skënderbeut pa “brinjtë e dhisë”, në përkrenaren e tij, por me kapelën e Romës dhe xhubletën mbretërore janë disa nga karakteristikat që e dallojnë këtë punim nga të tjerët. Jasiqi për KosovaPress tregoi se këtë imazh të Skënderbeut e kishte marrë nga një gazetar dhe piktor në Romë, ku e kishte realizuar sipas saj në kohën kur Skënderbeu kishte shkuar tek Papa për të kërkuar ndihmë .
Përveç qytetarëve të shumtë, këtë ekspozitë e vizitoi edhe kryetari i Partisë Balli Kombëtar Demokrat shqiptar, Nikollë Perkaj, për çka potencoi se ky organizim është i rëndësishëm që të rinjtë të njohin prej së afërmi figurën e Skënderbeut. Ai tha se kjo pikturat tregojnë shumë për figurën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut.
Po ashtu, edhe qytetari Fetah Dragusha tha se punimet e ekspozuara janë mbresëlënëse, derisa potencoi se Skënderbeu është një gjeni që tejkaloi përmasat e njerëzimit. Ai tha se me figurën e Skënderbeut janë marrë historianë e muzicientë të të gjitha kohërave. Ditëlindja e heroit po shënohet në Prishtinë me shumë aktivitete, ku edhe po kërkohet që kjo ditë të hyjë në ditët e festave kombëtare.