Zëvendëskryeministri dhe ministri për Marrëdhënie Midis Bashkësive, Ivan Stoilkoviq, në Beograd, kishte vizituar kampin e ashtuquajtur të fëmijëve “Serbia të thërret” ku kishin marrë pjesë edhe rreth 50-të fëmijë nga Maqedonia e Veriut.
Ngjarja ka ndodhur gjatë periudhës nga 1 deri më 11 gusht të vitit të kaluar, kurse në përshkrimin e ngjarjes, në ueb faqen zyrtare të kësaj ministrie, ende qëndron ky tekst, “Pjesë e kampit që tërësisht është pa pagesë e fëmijëve të moshës 12-15 vjeç, janë edhe fëmijët nga Kosova dhe Metohia…”
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Hristjan Mickoski, në konferencën e përbashkët me Kurtin në Prishtinë, mes tjerash u përgjigje edhe në pyetjet lidhur me mungesën e Stoilkoviqit nga delegacioni qeveritar i Maqedonisë, i cili në Kosovë kishte udhëtuar thuajse në përbërje të plotë.
Sipas Mickoskit edhe pse kishte pasur shumë dëshirë të jetë i pranishëm në Prishtinë, mungesa e Stolikoviqit kishte qenë e arsyeshme.“Mendoj se si shtet dhe si qeveri shumë më herët kemi treguar se çfarë është Kosova, ndër të parët në botë. Nuk duhet të lejojmë që kjo temë të keqpërdoret. Nëse vazhdimisht dikush përpiqet që kjo të përsëritet, mendoj se do ta humbim thelbin. Mendoj se kjo që ndodh sot dhe paraprakisht në Shkup, në vet fillimet e pavarësisë së Kosovës dhe atë që bëri qeveria maqedonase ndër të parët në botë, është treguesi i qartë për qëndrimin tonë”, tha Mickoski.
Dy kryeministrat Kurti dhe Mickoski gjatë konferencës thanë se Prishtina dhe Shkupi nuk besojnë se dallimet etnike, pa u nxitur nga qarqe të caktuara politike, mund të sjellin tensione të reja në Ballkan.
“Sa i përket Stoilkoviq, ne e dhamë një porosi momentin që u votu interpelanca për Stoilkoviq deputetët e VLEN-it nuk ish asnjë prezent aty. Ne nuk e mohojmë se Stoilkoviq është përfaqësues i serbëve nuk pretendojmë ta bëjmë shqiptar, as të mendoj si ne por dallimet mes neve dhe atyre të kaluarve kanë qenë se me vetë iniciativë u bënë pjesë e Open Ballkan i cili nuk e njihte Kosovën. Ne Republikën e Kosovës e njohim”, shtoi Mexhiti. /tvklan.mk/