Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë (UNDP) do të publikojë të hënën analizën e pulsit publik mbi efektet e liberalizimit të vizave në migrim.
Analiza shqyrton ndikimin e liberalizimit të vizave në ekonomi dhe eksploron demografinë e personave që kanë lënë Kosovën qe nga janari 2024, përfshirë gjininë, etninë, moshën, arsimimin, profesionin, nivelin e të ardhurave dhe vendbanimin e tyre, si dhe pritjet dhe planet e tyre.
Aty përfshihen gjetje nga gjashtë diskutime në grupe fokus me përfaqësues të institucioneve lokale dhe qendrore, duke përfshirë bizneset, për të vlerësuar mundësinë e “largimit të trurit”, strategjitë për zbutjen e këtij fenomeni dhe ndikimin e emigracionit të fuqisë punëtore në sektorët kyç si shëndetësia, arsimi, energjia dhe teknologjia e informacionit dhe komunikimit.
Qytetarët e Kosovës qe nga 1 janari 2024 po e shfrytëzojnë të drejtën e udhëtimit pa viza në 29 vendet anëtare të zonës Schengen, ku mund të qëndrojnë 90 ditë brenda gjashtë muajsh për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme, por jo edhe për punë.