Raundi i tretë i votimit për presidentin e Italisë në parlament ka përfunduar sot pa sukses, për këtë arsye janë të pashmangshme negociatat më intensive mes partive politike për kandidatin për kreun e ri të shtetit.
Deri më tani asnjë parti nuk ka propozuar një kandidat serioz, gjë që pritej në tri raundet e para të votimit, kur për zgjedhjen e presidentit kërkohej mbështetja e dy të tretave të deputetëve ose 672 vota.
Në raundin e tretë të sotëm të zgjedhjeve, presidenti aktual, 80-vjeçari Sergio Matarella, mori më shumë vota, i cili tha qartë se nuk dëshiron një mandat të dytë.
Për Matarellën, mandati i të cilit përfundon javën e ardhshme votuan 125 deputetë, ndërsa më shumë se 400 fletë votimi ishin të pavlefshme.
Kryeministri Mario Draghi ka treguar se është gati të transferohet në pallatin presidencial Quirinal, por një rezultat i tillë ka të ngjarë të çojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare që disa parti nuk i duan, nga frika e një krize të re politike.
Draghi, një ekonomist 74-vjeçar dhe ish-president i Bankës Qendrore Evropiane, u bë kryeministër në shkurt 2021, duke pranuar ftesën e Matarellës për të udhëhequr një qeveri të unitetit kombëtar në mes të një krize politike, ekonomike dhe shëndetësore.
Funksioni i presidentit të Italisë është kryesisht ceremonial, pasi kreu i shtetit nuk ka kompetenca të rëndësishme, me përjashtim të rasteve të bllokadave të shpeshta politike në vend, kur ai ka një rol kyç. Në atë situatë, ai mund të shpërndajë parlamentin dhe të emërojë një mandatar për përbërjen e qeverisë së re. Matarella ka qenë në një situatë për të zgjedhur një kryeministër dy herë që nga viti 2018.
Zgjedhjet e rregullta parlamentare do të mbahen në pranverë të vitit 2023.