Për shkak të interesimit të madh të qytetarëve për të bërë mamografi, ky shërbim do të jetë falas edhe pas muajit tetor.
Drejtori i Shëndetësisë në komunën e Prishtinës, Izet Sadiku në një intervistë për KosovaPress thotë se terminet janë të plotësuara deri në vitin e ardhshëm.
“Njëra prej aktiviteteve kryesore ka qenë mamografia falas për të gjithë qytetaret që janë të interesuar të bëjnë këtë dhe kjo sigurisht ka rritur interesimin e qytetareve për mamografi dhe për 21 ditë të tetorit kemi pasur 419 mamografi, që i bie mesatarisht rreth 20 mamografi në dite, që është diku dyfishim apo qind për qind numri më i madh se sa muajve të tjerë. Kemi kërkesë shumë të madhe për mamografi dhe realisht deri në muajin shkurt janë terminet e rezervuara për shkak kërkesave të mëdha që kemi pasur dhe veçanta e këtij aktiviteti, përveç ligjëratave të ndryshme me studentë e pjesëtarët e policisë, Forcave të Sigurisë së Kosovës, kemi mbajtur ligjërata në xhami, katedrale dhe një aktivitet i veçantë që është mbajtur në këtë vit ka qenë Prishtina Rose”, tregoi ai.
Gjithashtu ai tha se Prishtina përveç dy mamografive që ka, do ta ketë së shpejti edhe një mamograf të ri. Gjithashtu ai tha se vetëm një për qind e atyre që kanë bërë mamografi kanë qenë të dyshimta.
Sadiku thotë se qëllimi i këtij vendimi ka qenë krijimi i mundësive për gratë që nuk kanë para për ta bërë mamografinë, në mënyrë të zbulimit të hershëm të kancerit të gjirit. Si rezultat i kësaj, Sadiku thotë se vetëm gjatë këtij muaji numri i mamografive të bëra është rritur dyfish, krahasuar me muajt e kaluar.
“E vetmja armë që kemi sot kundër kancerit të gjirit është zbulimi i hershëm, i cili nënkupton shpëtim jete. Prandaj për të zbuluar herët do të duhej që gratë mbi moshën 40-vjeç çdo vit duhet të bëjnë një mamografi. Ne kemi krijuar këtë mundësi kemi dashur, përveç sensibilizimit dhe debatit që mund të bëjmë që me heq dhe mundësinë e pagesën, e cila çdo grua e cila mendon ta bëjë mamografinë mos ta këtë si barrë çështjen e pagesës. Është i rritur, në krahasim me muajt që i kemi pasur, prej janarit deri më tani sepse mamografia bëhet vazhdimisht, është dyfishuar numri i mamografisë. Kjo tregon që sensibilizimi është bërë përmes debateve, tryezave, mjeteve të informimit që qytetarët me u vetëdijesuar për nevojën e bërjes së mamografisë”, ka thënë Sadiku.
“Vendimi i kryetarit (Përparim) Rama për vitin e ardhshëm pa pagesë të ekzaminimit të gjirit, është mirëpritur nga gjinia femërore... Numri është rritur. Terminet janë të caktuar deri në pjesën e parë të muajit shkurt. Si arsyeshmëri e sensibilizimit dhe ndërgjegjësimit që ka qenë muaji rozë, por është edhe vendimi i kryetarit të jetë pa pagesë... Këto sende zakonisht shkojnë me dyshime dhe preferohet të shkohet te patologu, merret biopsia, e cila është fjala e fundit e diagnostikimit të saktë, përndryshe ka pasur raste. Kemi dërguar statistika të numrit të gjithëve diagnostikimit se sa janë të dyshuar për procesin ekspansiv të gjirit”, ka thënë Sahiti.
Qytetarja Shkurie Ruhani mirëpret vendimin e kryetarit të Prishtinës që mamografia e gjirit të bëhet pa pagesë.
Ndryshe, kryetari i Prishtinës Përparim Rama ka marrë vendim që mamografia e gjirit të jetë falas deri në një vendim të radhës. Shërbimi i mamografisë ofrohet falas në dy qendra të mjekësisë familjare QKMF (Qafa) – në Njësinë e Radiologjisë dhe QMF 5 – Dardani/Ulpianë.