Në Pallatin e Drejtësisë po vazhdon greva e punëtorëve të administratës për të nëntën ditë me radhë (pa fundjavën). Këshilli grevist ka pasur takim me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun, por pa ndonjë rezultat.
Kryetari i Shoqatës Sindikale të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Naim Rrustemi thotë nuk ka ndërprerje të grevës deri në realizimin e kërkesave.
Rrustemi thotë se reflektimin e presin nga institucionet qendrore dhe se grevën do ta vazhdojnë deri në plotësimin e kërkesave.
“Ne presim reflektimin e institucioneve qendrore sepse ata janë kompetentë për kërkesat tona, mirëpo edhe nëse brenda 2-3 dite nuk vijnë dhe nuk reflektojnë atëherë si këshill grevist ne do të ulemi dhe do t’i rishikojmë masat. (Greva do të vazhdojë) deri në plotësimin e kërkesave tona”, thotë Rrustemi.
“Nuk do të tërhiqemi derisa të plotësohen kërkesat tona. Asgjë nuk kemi, janë kanë në Themelore, por me shkrim nuk kemi ende asgjë”, shprehet Rexhepi.
Kërkesat e Këshillit grevist janë: Aprovimi i Ligjit për punëtorët e Administratave të Gjykatave dhe Prokurorive duke u bazuar në Projektligjin për plotësim dhe ndryshim të ligjit për zyrtarë publikë; Përafrimi i pagave të punëtorëve të administratës së gjykatave dhe prokurorive në raport me pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve; Pagesa lineare nga 150 euro për çdo punëtor të administratës së gjykatave dhe prokurorive deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për paga, si dhe pagesa e shujtës ditore prej 3 euro dhe pagesa e udhëtimit prej 3 euro.
Këshilli grevist me kryesitë e sindikatave do t’i përmbahen në përpikëri Ligjit mbi grevat duke lejuar që lëndët e natyrës urgjente si lëndët me paraburgim dhe lëndët me të cilat rrezikohet personaliteti i njeriut (dhuna në familje) të lejohen të punohet si dhe shkresat që i adresohen Gjykatës të pranohen nga stafi i arshivës në kohën e caktuar nga Këshilli grevist./G.Jashari