Ish-përfaqësuesit e Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK), Azem Syla dhe Ramadan Avdiu, kanë reaguar ndaj deklaratave të ish-nënkryetarit të LDK-së, Anton Kola, të bëra në emisionin “Fakte” me Adnan Merovcin, të transmetuar më 23 prill 2026.
Në reagimin e tyre, Syla dhe Avdiu thonë se ish-nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Kola, në një rast (nga minuta e 31), në mungesë të informacioneve, të njohurive apo me qëllim të caktuar në vend të nxjerrjes së fakteve i ngatërron ato duke devijuar tërësisht qëllimin e takimeve në mes të përfaqësuesve të Lëvizjes Popullore të Kosovës me Rugovën dhe bisedat e pasuara më vonë në takime në mes të Azem Sylës dhe Anton Kolës.
“Takimet e zhvilluara nga muaji prill deri në tetor të vitit 1991, në mes të përfaqësuesve të Lëvizjes Popullore të Kosovës Xhavit Haziri, Azem Syla dhe Ramadan Avdiu, nuk kanë qenë siç deklaron z. Kola; një takim i disa të burgosurve politik me z. Rugova në banesën e tij në Lakrishtë, por takime të rregullta në mes të LPK-së dhe LDK-së, me qëllim të bashkëpunimit dhe koordinimit të aktiviteteve për krijimin e kapaciteteve për veprim kundër okupatorit serb, sidomos në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë”, thuhet në këtë reagim.
Reagimi i plotë:
Në një bisedë në kuadër te emisionit “Fakte” me Adnan Merovcin, të emituar më 23 prill 2026, ish-nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës z. Anton Kola, në një rast (nga minuta e 31), në mungesë të informacioneve, të njohurive apo me qëllim të caktuar në vend të nxjerrjes së fakteve i ngatërron ato duke devijuar tërësisht qëllimin e takimeve në mes të përfaqësuesve të Lëvizjes Popullore të Kosovës me z. Rugova dhe bisedat e pasuara më vonë në takime në mes të z. Azem Syla dhe të z. Anton Kola.
2. Në një takim në muajin shtator të vitit 1991, z. Rugova ka theksuar se do të tentojmë të formojmë Qeverinë e Kosovës dhe është interesuar të dijë nëse LPK-ja si organizatë politiko-ushtarake që vepronte në fshehtësi të thellë është e interesuar të përfshihet në Qeveri. Ne kemi shfaqur interesim të përfshihemi në Ministrinë e Mbrojtjes.
4. Meqë Azem Syla është njohur personalisht me z. Anton Kola, janë takuar dhe kanë biseduar lidhur me gatishmërinë e LPK-së për të dhënë kontributin saj në ngritjen e kapaciteve mbrojtëse. Nuk është e vërtetë se z. Azem Syla në këto takime t’i ketë thënë z. Anton Kola siç pohon ai në emsionin “Fakte”, se ne (LPK-ja) nuk mund të bashkëpunojmë me z. Ibrahim Rugova. Kjo është plotësisht e pavërtetë dhe gënjeshtër e kulluar.
Sikur të ishte ashtu ne fare nuk do të ishim takuar disa herë me z. Rugova nga muaji prill deri në tetor, dhe ndonëse kemi pasur dallime konceptuale kemi shpresuar se do të mund të jemi komplementar në veprimtari antipushtuese.
Anomalia e pohimeve të z. Kola në këtë emision konsiston në deklarimin e tij, se përderisa rreth shtabeve komunale të LDK-së siç thekson ai, nuk është interesuar të njohë dhe të dijë asgjë jashtë rrethit të Klinës, për LPK-në ka kërkuar dhe insistuar të dijë gjithçka… Madje pranimi i z. Gani Veseli për të qenë në krye të shtabit komunal në Klinë është bërë pas konsultimeve që i ka pasur z. Veseli me Azem Sylën dhe në vazhdimësi është konsultuar dhe ka marrë direktiva nga Azem Syla.
Pasi është themeluar Qeveria ne i kemi rralluar takimet me z. Rugova, kurse pas dështimit të Qeverisë së Bukoshit dhe LDK-së, për krijimin e strukturave mbrojtëse në Kosovë, LPK-ja, ka shtuar angazhimin për përgatitjen e njësiteve ushtarake për të shkuar drejt themelimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Azem Syla dhe Ramadan Avdiu