Në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka nisur shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarës për spiunazh, Jelena Gjukanoviq. Edhe sot ajo para trupit gjykues u deklarua e pafajshme për veprën penale me të cilën ngarkohet.
Shtetasja serbe dhe ish-punonjëse e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) tha se nuk ndihet fajtore për veprën me të cilën e akuzohet nga Prokuroria Speciale.
E akuzuara, Jelena Gjukanoviq dhe avokati i saj, Predrag Miljkoviq hoqën dorë nga e drejta për tu lexuar aktakuza pasi ajo ishte lexuar në seancën e shqyrtimit fillestar.
Gjukanoviq, shtetase serbe dhe ish-punonjëse e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dyshohet se ka qenë e përfshirë në aktivitete spiunazhi në bashkëpunim me një person tjetër, i cili gjithashtu është nën hetim nga autoritetet.
Ekzistojnë dyshime se ajo ka bashkëpunuar me Agjencinë Serbe të Sigurisë dhe Inteligjencës (BIA).