Policia e Shqipërisë njoftoi sot se deri në këto momente janë shoqëruar 18 shtetas, ndërsa 9 punonjës policie kanë mbetur të dëmtuar dhe po marrin ndihmë mjekësore, pas protestës së zhvilluar para Kuvendit e cila u shoqërua me përplasje të forta dhe akte dhune.
Protesta ka përshkallëzuar në tensione mes protestuesve dhe forcave të rendit, me incidente të shumta gjatë gjithë ditës, përfshirë bllokimin dhe rrethimin e hyrjeve të Kuvendit, duke mos lejuar daljen e deputetëve dhe ministrave pas seancës plenare.
Një grup protestuesish ka arritur të kalojë kordonin e sigurisë pranë zonës së Akademisë së Shkencave, nga ku janë kryer sulme ndaj deputetëve, duke detyruar ndërhyrjen e policisë dhe shoqërimin e disa personave.
Po ashtu, automjeti i kryetarit të Kuvendit është goditur me miell dhe vezë, ndërsa protesta është shoqëruar me thirrje kundër përfaqësuesve të mazhorancës.Pas shpërndarjes së turmës, grupe të tjera protestuesish janë zhvendosur në zona të ndryshme të Tiranës, ku janë regjistruar incidente të tjera, përfshirë thyerjen e xhamave të një automjeti policie. Forcat e rendit kanë ndërhyrë sërish dhe kanë shoqëruar disa persona.
Në disa raste, protestuesit janë përballur edhe me deputetë në zona publike pranë Kuvendit, duke shkaktuar debate dhe përplasje verbale, raporton ATSH.