Inspektorati Policor i Kosovës ka shënuar 20-vjetorin e themelimit me një ceremoni solemne, ku u tha se ky institucion po kryen punën me përgjegjësi dhe bindje se llogaridhënia nuk e dobëson policinë.
Aty u prezantua edhe dokumentari “Kush i ruan rojet – 20 vjet IPK”, i cili pasqyron rrugëtimin dydekadësh të institucionit.
“Inspektorati Policor i Kosovës u ngrit me një mision që nuk është kurrë i lehtë, të kujdeset që ata të cilët e mbrojnë qytetarin të mbeten vetë brenda ligjit. Një nga detyrat më të vështira që një shtet demokratik mund ta ndërtojë vetë, pra brenda vetes. Sepse është e thjeshtë të kërkosh përgjegjësi nga të tjerët, por është shumë më e vështirë që shteti ta vendosë të njëjtin standard mbi vetë institucionet e tij. Për 20 vjet me radhë ky inspektorat e ka mbajtur atë shtyllë të patundur. E ka kryer punën me përgjegjësi dhe me bindjen se llogaridhënia nuk e dobëson policinë, por e forcon atë”, u shpreh Haxhiu.
Kryeshefit Ekzekutiv të IPK-së, Kushtrim Hodaj tha se gjatë 20 viteve institucioni ka trajtuar mijëra ankesa, ka zhvilluar hetime dhe ka dhënë rekomandime që kanë ndikuar në përmirësimin e punës së Policisë së Kosovës, duke theksuar se rritja e ankesave tregon besimin e qytetarëve.
“Përgjatë këtyre dy dekadave, jemi angazhuar në trajtimin profesional të mijëra ankesave të qytetarëve. Kemi zhvilluar hetime penale e disiplinore dhe kemi dhënë mijëra rekomandime që kanë ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin e performancës policore dhe menaxheriale të Policisë së Kosovës. Sot, IPK gëzon besimin e qytetarëve. Rritja e vazhdueshme e numrit të ankesave të paraqitura nuk është vetëm tregues i problemeve, por është gjithashtu dëshmi se qytetarët besojnë se zëri i tyre dëgjohet dhe se çdo pretendim trajtohet me paanshmëri, profesionalizëm dhe përgjegjësi”, u shpreh Hodaj.