Durrës: Konfiskohet një sasi kokaine fshehur në mish të ngrirë
Lexohet për: 2 min.
t32t23
2 vite më parë
Linku u kopjua

Pas kapjes së një sasie prej 45.5 kg kokainë të fshehur në një kontejner frigoriferik me mish pule mbrëmë, policia e Durrësit ka arrestuar administratorin e kompanisë porositëse të mallit Arben Ferizi (30) me banim në Prishtinë, dhe Egert Vargun (39) banues në Tiranë, me detyrë agjent doganor.

Asnjë prej të arrestuarve mes të cilëve edhe vargu këshilltar bashkiak në Tiranë, nuk e ka pranuar akuzën deri në këto momente.

Kompania kishte kontraktuar agjencinë doganore AG në portin e Durrësit për të kryer procedurat për ngarkesën me mish pule që ishte porositur në Brazil dhe kalonte transit nga Shqipëria drejt filialit të saj në Maqedoninë e Veriut.

Task-forca që vepron në port ushtroi kontroll në kontejner, ku në brendësi të ngarkesës me mish pule u gjetën 40 pako me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, me peshë 45 kg e 500 gramë. Pakot ishin të mbështjella me letra që kishin të stampuar personazhe të Gokut dhe Budës nga filmat e animuar.

Gjetja e drogës brenda kontejnerit dhe jo në pjesën e jashtme të tij përforcon dyshimet se ngarkesa e paligjshme është futur në kontejner që në vendin e origjinës së mallit në Brazil, megjithatë hetimet e mëtejshme do të zbardhin më shumë detaje lidhur me këtë rast trafiku të mbetur në tentativë.

Kontejneri frigoriferik kishte mbërritur me anije disa ditë më parë nga porti grek i Pireut.

Një muaj më parë një tjetër sasi kokaine, 59 kg, u kap në një anije me qymyr që vinte nga Kolumbia. Ndërkohë 3 vjetët e fundit sasia e kokainës që ka tentuar të trafikohet nga porti i Durrësit i kalon 1.5 ton./tch

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025