Lideri i çetnikëve serbë Bratislav Zhivkoviq i cili ka qenë pjesëmarrës në ngritjen e barrikadave në veri të Kosovës dhe organizator i dërgimit të mercenarëve serbë në frontin e luftës në Ukrainë, është vrarë në kundërofensivën ruse në rajonin Kursk.
Presidenti rus Vladimir Putin mbajti fjalimin e tij vjetor për gjendjen e kombit të hënën. Përveç përfaqësuesve rusë, në fjalimin e tij morën pjesë edhe shumë të ftuar, e në mesin e tyre u dallua një burrë me uniformë ushtarake me dekorata të shumta dhe simbole çetnike.
Zhivkoviq kishte thënë se ishte i ftuar në konferencën e Putin si pjesëmarrës në një "operacion special ushtarak në Ukrainë".
Ai pati thënë se është “i vetmi komandant serb që organizoi detashmentin çetnik dhe e solli në Krime në vitin 2014”, duke shtuar se mori pjesë “në mbrojtjen e qytetit Luhansk në të njëjtin vit dhe në mbrojtjen e Donetskut në vitin 2018.”Në vitin 2018, Zhivkoviq u arrestua në Serbi me dyshimin se organizoi pjesëmarrjen e serbëve në luftën në Ukrainë dhe u ofronte 200 euro në muaj në këmbim. Ekstremisti po hetohej nga Prokuroria e Ukrainës për rolin e tij në sulmet ndaj forcave ukrainase.
Informacioni i fundit për Zhivkoviqin u shfaq në media vitin e kaluar, kur u raportua se ishte plagosur rëndë dhe po trajtohej në Moskë dhe se ai erdhi në fjalimin e Putin me paterica.
Për ekspertin e sigurisë, Agim Musliu, ky çetnik është një kukull e presidentit serb Aleksandar Vuçiq. Musliu thekson se Zhivkoviq e filloi karrierën e tij pro-ruse në vitin 2012, kur mori pjesë në ngritjen e barrikadave në veri të Kosovës.
Lideri i çetnikëve serbë kishte kaluar tri ditë në Maqedoninë Veriore, gjatë së cilës ai vizitoi edhe rrethin e Kumanovës, ku u zhvilluan luftimet në maj të vitit 2015. Gjatë qëndrimit atje, Zhivkoviq u takua me përfaqësuesit e shoqatave serbe dhe emëroi komandantin çetnik për rajonin e Kumanovës.
Pas konfliktit të Kumanovës, Zhivkoviq kishte deklaruar se do të organizonte vullnetarë nga Serbia për të luftuar shqiptarët. Ai ka tentuar të kalojë kufirin edhe në pikën kufitare Preshevë-Kumanovë, por nuk është lejuar nga policia serbe. Atij iu ndalua hyrja në 15 vende anëtare të NATO-s. Për vrasjen e tij kanë raportuar edhe mediat në Serbi.