Durmishi i reagon Abdixhikut për rrugën e Moknës: Mos mashtro, nuk është projekt lokal por i ministrisë
Lexohet për: 3 min.
3 muaj më parë
Linku u kopjua

Një përplasje ndërmjet zëvendësminsitrit të Infrastrukturës, Hysen Durmishi dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku ka nxitur ndërtimi i rrugës për në bjeshkët e Moknës në komunën e Istogut.

Zëvëndësministri Durmishi i ka reaguar kryetarit Abdixhikut, pasi ky i fundit sot ka thënë se ndërtimi i rrugës në atë pjesë është investim nga komuna e Istogut, që qeveriset nga kryetari Ilir Ferati, subjekti politik i LDK-së

Në reagimin e Durmishi thuhet se ‘rruga e Moknës është projekt i Ministrisë së Infrastrukturës’.

“Lumir mos mashtro! Që në mëngjes, nga Istogu, e nise ditën me mashtrime. Rruga e Moknës nuk është projekt lokal por komplet investim i ministrisë tonë. Edhe në Pejë e bëre të njëjtën gjë vitin e kaluar sikur sot në Istog. Në komunat ku ju qeverisni nuk po mund t’a gjeni asnjë projekt të nivelit lokal për të bërë një foto a video, prandaj kudo që shkoni, investimet direkte të Qeverisë së Kosovës, po mundoheni që t’i paraqitni si projekte lokale”, ka pohuar ai.

Sipas Durmisht  “vazhdimisht ankoheni për mungesë të investimeve kapitale por kudo që shkoni i shihni projektet konkrete duke u realizuar në ato komuna”.

Më tej thuhet se “Ne nuk i diskriminojmë komunat. Nuk e diskriminojmë as Istogun. Mbi 10 milionë euro investime po bëhen nga ministria e jonë në Istog dhe do të vazhdojmë me investime edhe në të ardhmen. Këtë po e bëjmë për qytetarët që të kenë më të lehtë zhvillimin e turizmit dhe më të lehtë e më të sigurt lëvizjen në komunikacion”, shkruan Hyseni.

Në fund të reagimit të Hysenit thuhet po ashtu se “Mokna, Lugu i butë e zona të tjera në Istog do të bëhen vende të rëndësishme turistike për shkak të investimeve që po i bënë Qeveria e Kosovës, dhe këto punë të mira do t’i gëzoj edhe Lumiri dhe të gjithë qytetarët e Kosovës”.

Ndërkaq, gjatë ditës kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka shkruar për rrugën që po bëhet për në bjeshkën e Moknës, duke shtuar se Kosova ka nevojë për projekte të tilla.

“Mirëmëngjesi nga Istogu. Nga Bjeshka e Moknës dhe rruga e re prej 19.1 kilometrave që po ndërtohet aty. Një koridor i ri turizmi, një model konkret i punës që vërtetë ka rëndësi! Dhe për këso politika e këso projekte ka nevojë vendi ynë. Temat e tjera të thata, përplot mllef e urrejtje, sharje e përplasje, po mbajnë shtetin e shoqërinë peng – tash e katër vjet. LDK ka tjetër vizion. Atë të zhvillimit, mirëqenies, punëve që lënë shenjë e mbahen në mend! Ky projekt, njëri nga plot të zhvilluar vetëm në nivel lokal, është i tillë!”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024