Mesfushori, Kristjan Asllani, së fundmi ka qenë në qendër të vëmendjes, ku sezoni i kaluar te Empoli ishte i shkëlqyer për yllin shqiptar.
Paraqitjet e tij lanë përshtypje tejet të mira te krerët e Interit, ndërsa gjatë kësaj merkatoje, Asllani arriti që të transferohet te “Nerazzurët”, përcjell KosovaPress.
“Kristjan është një futbollist i perspektivës, shpresoj shumë dhe jam i bindur që do të konkurojë me Brozovic për një pozicion si titullar. Dhe në të ardhmen, mendoj shumë shpejt, kur të fitojë një vend të rregullt në 11-shin e Interit, ai do të jetë gjithashtu një lojtar i rëndësishëm në nivel botëror”, tha Duka.
“Ashtu siç e shoh unë, ai mund të jetë Luka Modric i ardhshëm. I ka të gjitha cilësitë për të arritur majat, është i ri, ka aftësi të larta teknike, vendosmërinë e duhur dhe karakter të fortë. Falë këtij karakteri ai mund të arrijë shumë lart dhe të bëjë gjëra të mëdha”, shtoi më tej presidenti i FSHF-së.
“Për të do të jetë shumë e rëndësishme të qëndrojë me këmbë në tokë, të punojë shumë dhe me përulësi. Objektivi i tij i parë, natyrisht, është të fitojë pozicionin e titullarit në skuadrën zikaltër dhe të mos jetë thjeshtë zëvendësuesi i Brozoviç”, tha Duka.
Sezonin e kaluar, Kristjan Asllani arriti të bëjë 34 paraqitje në të gjitha garat për Empolin, duke regjistruar katër gola dhe dy asistime.