Drejtori i Hoffenheimit zbulon të ardhmen e Fisnik Asllanit
Sport
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Drejtori i Hoffenheimit zbulon të ardhmen e Fisnik Asllanit
Drejtori menaxhues i Hoffenheimit, Andreas Schicker, ka konfirmuar se klubi gjerman është në bisedime me disa skuadra lidhur me të ardhmen e sulmuesit Fisnik Asllani, i cili po tërheq interesimin e disa prej emrave më të mëdhenj të futbollit evropian.
Schicker pranoi se negociatat janë në zhvillim dhe theksoi se nuk është sekret që 23-vjeçari ka një klauzolë lirimi në kontratën e tij. “Situata është se ka bisedime me klube si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Gjithashtu nuk është sekret që Asllani ka një klauzolë lirimi”, deklaroi ai për Kicker.
Sipas raportimeve, Barcelona mbetet një nga klubet më të interesuara për sulmuesin, pasi e ka ndjekur prej muajsh dhe mund të intensifikojë përpjekjet në rast të ndryshimeve në repartin ofensiv. Në garë për nënshkrimin e tij janë gjithashtu Chelsea dhe Tottenham nga Premier League, ndërsa interesim ka shfaqur edhe Borussia Dortmund.
Asllani vjen pas një sezoni të suksesshëm me Hoffenheimin, ku realizoi 10 gola dhe kontribuoi me nëntë asistime në 33 paraqitje, duke u shndërruar në një nga lojtarët më të spikatur të skuadrës.
Edhe pse kontrata e tij me Hoffenheimin është e vlefshme deri në vitin 2029, ajo përmban një klauzolë lirimi që raportohet të jetë pak më pak se 30 milionë euro. Kjo shumë konsiderohet e përballueshme për klubet e interesuara, duke e bërë transferimin e mundshëm të sulmuesit një nga çështjet që pritet të marrë zhvillime gjatë afatit kalimtar të verës.
KosovaPress