KosovaPress është duke dhënë kontribut të jashtëzakonshëm që Kosova të njihet përtej kufijve, ka thënë drejtoresha Suzana Rakovica-Hashani. Në nisje të konferencës ndërkombëtare “Kufijtë e Lirisë së Fjalës”, për nder të 25-vjetorit të themelimit të Agjencisë së Lajmeve KosovaPress, ajo deklaroi se jetike është interesi i publikut për t’u informuar saktë e drejt.
Ajo u ka uruar mirëseardhje të gjithë përfaqësuesve të mediave, ku sot në kryeqytet janë bashkuar më shumë se 20 agjenci botërore të lajmeve nga e gjithë Evropa dhe Ballkani.Për drejtoreshën e KosovaPress-it, është jetike interesi i publikut për informim të saktë dhe të drejt.
“Ne e shohim jetike interesin e publikut për t’u informuar saktë, drejt, prandaj do të vazhdojmë me përkushtim dhe bashkëpunim me të gjitha agjencitë tjera, të cilat janë të shumta në këto organizata. Ne sot jemi mbledhur këtu për të reflektuar mbi vlerat dhe rolin tonë të përbashkët në promovimin e lirisë së shprehjes, brenda normave etike dhe profesionale, të diskutojmë se si këto vlera të forcohen duke përdorur edhe transformimin teknologjik që në fakt jemi detyruar për të ju përgjigjur trendëve bashkëkohore”, u shpreh ajo.
Konferenca do të bashkojë në kryeqytetin tonë më shumë se 20 agjenci botërore të lajmeve nga e gjithë Evropa dhe Ballkani. Anëtarët e rrjetit më të madh evropian të agjencive të lajmeve EANA (www.newsalliance.org) si dhe atij të Evropës juglindore ABNA SEE (www.abnase.com), rrjete këto ku KosovaPress-i është anëtar, do të jenë të pranishme në këtë aktivitet.
Enkas për këtë konferencë, nga Kievi vjen edhe Nataliya Kostina, shefe e Departamentit për Marrëdhënieve me Jashtë në Agjencinë Ukrainase të Lajmeve Ukrinform.
Paneli i parë do të fokusohet në sfidat bashkëkohore me të cilat përballen agjencitë e lajmeve dhe mediat në këtë periudhë të ndryshimeve të mëdha globale.
Paneli i parë do të udhëhiqet nga Branka Gabriela Vojvodic nga Agjencia e Lajmeve Kroate HINA dhe përbëhet nga: Alan Marshall nga PA Media Group të Mbretërisë së Bashkuar, Camille Bouissou nga Agjencia Franceze e Lajmeve AFP, Natalia Kostina nga Agjencia Ukrainase e Lajmeve UKRINFORM, Aimilios Perdiakris nga Agjencia Greke e Lajmeve ANA-MPA dhe Rodolfo Cardarelli nga Agjencia Italiane e Lajmeve ANSA.
Ndërkaq në pjesën e dytë të konferencës, fjalë rasti do te ketë zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi.
Në panelin e dytë, folës do të jenë presidenti i Bordit të Prishtina MALL, Fatmir Zymeri, udhëheqësi i Kolegjit UBT Edmond Hajrizi, profesoresha universitare Besa Luzha, Kushtrim Krasniqi nga Komiteti Olimpik i Kosovës dhe Tualant Hodaj nga Federata e Futbollit të Kosovës, të cilët do të paraqesin pikëpamjet rreth mundësisë së krijimit të sinergjive për mbështetje të iniciativave inovative që avancojnë prosperitetin shoqëror.