Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka reaguar pas propozimit të draftit të kryeministrit Edi Rama për Asocicionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë. Sipas tij, teksti i këtij drafti është shkruar në Beograd.
Berisha para mediave tha se Rama me këtë veprim shpalosi veten si “një vasal i shpifur i Aleksandër Vuçiqit”.
Ai ka përsëritur se mbështet Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, porse kurrë jashtë prerogativave kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Ndryshe, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se e ka dorëzuar një draft të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, te presidenti francez Emmanuel Macron, dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz. Për këtë dokument, ai ka thënë se i ka vënë në dijeni edhe presidentin e Këshillit Evropian dhe amerikanët.