Dogana e Kosovës ka zbuluar 23,500 euro të padeklaruara gjatë kontrollit të një automjeti në dalje të Pikës së Kalimit Kufitar në Merdarë.
Sipas një njoftimi të Doganës së Kosovës, automjeti ishte përzgjedhur për kontroll bazuar në analizën e riskut. Pas intervistimit fillestar, automjeti u dërgua për kontroll të detajuar në vijën e dytë.
Dogana bëri të ditur se personi posedonte dokumente që dëshmonin prejardhjen e ligjshme të mjeteve monetare, përfshirë një kontratë noteriale për shitblerjen e një prone dhe një dëshmi të tërheqjes bankare.
Rasti iu referua Hetimeve Doganore për procedura të mëtejshme. Meqenëse burimi i mjeteve ishte i dokumentuar, autoritetet vendosën të ndalin 25 për qind të shumës së padeklaruar, ndërsa pjesa tjetër iu kthye poseduesit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.Dogana theksoi se mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe forcimin e kontrolleve kufitare për parandalimin e veprimtarive të paligjshme, mbrojtjen e integritetit të sistemit financiar dhe luftimin e pastrimit të parave.