Prodhuesi suedez i eksplozivëve, Alfred Nobel, më 14 korrik të vitit 1867, demonstroi për herë të parë shpikjen e tij më të njohur – dinamitin, një zbulim që ndryshoi rrënjësisht industrinë e ndërtimit, minierave dhe inxhinierisë, por që u përdor edhe në luftëra.
Dinamiti ishte një formë shumë më e sigurt për përdorimin e nitroglicerinës, e cila deri atëherë ishte tejet e paqëndrueshme dhe kishte shkaktuar aksidente të shumta. Shpikja e Nobelit mundësoi transportimin dhe përdorimin më të kontrolluar të eksplozivëve, duke sjellë një revolucion në shumë sektorë industrialë.
Në vitin 1888, Nobel u trondit kur lexoi në një gazetë franceze një nekrologji me titullin "Vdiq tregtari i vdekjes". Gazeta kishte ngatërruar vdekjen e tij me atë të vëllait, Ludvig Nobel. Ky moment e bëri Alfred Nobelin të reflektonte mbi mënyrën se si do të mbahej mend pas vdekjes.
I interesuar edhe për mjekësinë eksperimentale dhe përparimin shkencor, ai vendosi që pasuria e tij të përdorej për të shpërblyer ata që do të jepnin kontribut të jashtëzakonshëm për njerëzimin. Në testamentin e tij, Nobel kërkoi krijimin e çmimeve që do të ndaheshin për arritje në Fizikë, Kimi, Fiziologji ose Mjekësi, Letërsi dhe Paqe.Sot, më shumë se një shekull pas vdekjes së tij, emri i Alfred Nobelit lidhet jo vetëm me shpikjen e dinamitit, por edhe me çmimet prestigjioze që vlerësojnë arritjet më të mëdha në shkencë, letërsi dhe paqe në mbarë botën.