Mbi 50 raste të kontrabandës janë parandaluar në dy vitet e fundit brenda burgjeve të Kosovës. Për këtë periudhë, gjashtë zyrtarë korrektues të përfshirë në këto raste janë larguar nga puna. Raste të shumta të kontrabandës janë evidentuar edhe pas futjes brenda qendrave korrektuese. Përveç nga gardianët, droga e telefonat po mundësohen edhe nga vet familjarët e të dënuarve.
Gjatë ditës së djeshme pranë burgut të Dubravës janë konfiskuar 500 gram drogë. Në intervistën për KosovaPress, Ismail Dibrani nga Shërbimi Korrektues i Kosovës, deklaron se për këtë rast kanë filluar hetimet.
Zëvendësuesi i zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të ShKK-së, shton se janë mbi 50 raste në dy vjetët e fundit të parandalimit të kontrabandës brenda burgjeve.
“Fatkeqësisht kemi raste kur familjarë të të dënuarve, po ashtu edhe përmes rasteve të tjera të furnizimit me ushqime, me artikujë të tjerë ndërtimorë që kemi parandaluar kontrabandën. Numri është i madh, vetëm gjatë këtyre dy vjetëve kemi mbi 50 raste kur ne kemi parandaluar futjen e kontrabandës brenda institucioneve, që është një numër i madh. Familjarët tentojnë edhe përmes trupit, edhe përmes organeve të veta që të fusin kontrabandën brenda institucioneve korrektuese. Po ashtu, kemi raste edhe kur vet të dënuarit pas kthimit nga vikendi, përmes trupit tentojnë që të fusin kontrabandën brenda”, thekson Dibrani.
“Ne kemi edhe dhjetëra raste të kontrabandës të cilat i hasim brenda institucioneve korrektuese. Edhe që edhe në këto raste personat përgjegjës i mbajmë përgjegjës. Kemi raste edhe kur edhe zyrtarët korrektues, por që fatmirësisht në numër të vogël janë përfshirë në këto raste. E që sot nuk janë më në punë. Disa janë në mbajtje, disa janë duke u zhvilluar dhe ballafaquar me procedura të ndjekjes penale. Vetëm për këto dy vjet i kemi pesë zyrtarë korrektues. Edhe dje kemi pasur një zyrtarë korrektues, i cili është i dyshuar dhe tani më është pezulluar dhe është duke u ballafaquar me procedurat disiplinore dhe penale”, shton ai.
Më tej, në intervistën për KosovaPress, Dibrani shton se së fundmi janë tri raste ku po tentohet të futet kontrabanda brenda Qendrës Korrektuese në Dubravë.
Dibrani shton se në raste të tilla kanë qenë të përfshirë edhe shoferi apo bashkëpunëtorë të tjerë të kompanisë, të cilët janë në mbajtje të dënimit.
Zëvendësuesi i zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të ShKK-së, deklaron se të burgosurit të cilët tentojnë të kryejnë vepra të tilla do të pësojnë me shtim të viteve të dënimit brenda institucioneve korrektuese.