Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim të rregullt ambasadorin e Shteteve të Bashkuara, Jeffrey Hovenier, me të cilin bisedoi për zhvillimet në vend, me fokus të veçantë në procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në takim, siç informoi presidenca, u diskutua edhe për vazhdimin e bashkërendimit me partnerët, “duke e ditur që si institucionet tona ashtu edhe SHBA-të, kanë të njëjtin qëllim për shtensionimin e situatës në veri të vendit”.
Kryeministri Albin Kurti ka shprehur më 29 qershor gatishmërinë për deeskalimin e situatës në veri. Ai ka paraqitur katër hapa konkret që Qeveria e Kosovës është e gatshme t’i ndërmarrë për t’i kontribuar rikthimit të stabilitetit në veri. Mirëpo, ka thënë se presin edhe nga Serbia që të zotohet për tërheqje të protestuesve të dhunshëm nga ndërtesat komunale dhe të bashkëpunojë për paraburgimin dhe procedimin gjyqësor të kryesve të dhunës nga ana e Kosovës./KosovaPress