Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, ka vendosur që diplomati nga Danimarka Peter Sorensen, të jetë përfaqësues i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi.
Radio Evropa e Lirë ka mësuar nga burime diplomatike në BE se emri i Sorensenit është dërguar për miratim edhe te vendet anëtare të bllokut.
Burimet diplomatike thanë se sipas praktikës nga e kaluara, konfirmimi i Sorensenit nga vendet anëtare do të jetë vetëm procedurë formale, pasi tashmë Kallas e ka zgjedhur atë si të dërguar të posaçëm për dialogun.
Përfaqësuesit e posaçëm të BE-së emërohen nga kryediplomatja e bllokut, por emërimi i tyre duhet të konfirmohet edhe nga vendet anëtare në Këshill.Të dërguarit aktual MIroslav Lajçak, i skadon mandati më 31 janar.
Sorensen nga Danimarka ka përvojë të gjatë diplomatike në strukturat e BE-së. Ai aktualisht është Këshilltar i lartë në Shërbimin e Veprimit të jashtëm të BE-së (EEAS) për diplomaci digjitale.
Përvoja e tij nga rajoni thuhet se ka qenë edhe një prej argumenteve se pse Kaja Kallas ka vendosur që ai të jetë pasardhësi i Lajçakut.
Ndryshe, gjatë mandatit gati pesëvjeçar të Lajçakut, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve.
Marrëveshja, e cila nuk është nënshkruar, është ligjërisht e obligueshme për palët ka thënë blloku.