DhTIK: Rritja e tatimit në pronë barrë shtesë për bizneset, kompanitë nuk përfitojnë nga “Superpuna”
Lexohet për: 4 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka ngritur shqetësimin e saj për rritjen e tatimin në pronën e paluajtshme.
Drejtues të kësaj dhome në një konferencë për media kanë theksuar se shtrenjtimi i tatimit në pronë, do të jetë një goditje e rëndë për bizneset në vend.
Kryetari i Bordit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë (DhTIK), Skënder Krasniqi ka fajësuar Qeverinë e Kosovës për mungesë të bashkëpunimit me bizneset sa i përket plotësimit ndryshimit të ligjeve në vend, veçanërisht atë për pronën e paluajtshme.
Krasniqi ka theksuar se situata pas pandemisë Covid-19, dhe agresionit rus në Ukrainë, bizneset janë në situatë të vështirë.
Përkitazi me këtë, ai ka shprehur shqetësimin e tij për mungesë të bashkëpunimit nga ana e Qeverisë me bizneset. Madje, ka ftuar kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin e Financave, Hekuran Murati, që të jenë më pran komunitetit të bizneseve. Përveç kësaj, Krasniqi ka reaguar ndaj Qeverisë edhe për mënyrën e implementimit të projektit “SuperPuna”.
"Ne si Dhomë e Tregtisë duam të shprehim shqetësim publik për mungesën e bashkëpunimit të mjaftueshëm me institucionet e Kosovës në lidhje me situatën jo të mirë të të bërit biznes në Kosovë. Ftojmë kryeministrin, Albin Kurti, ministrat, e sidomos ministrin e Financave, Hekuran Murati që të na vizitojë dhe të diskutojmë më shumë para se të marrin vendime të tilla ose propozime për ndryshimin e ligjeve ose plotësim ndryshimin e ligjeve të cilat po shkojnë pa e pas një reagim ose bashkëpunim të mjaftueshëm me biznese", tha Krasniqi.
Sekretari i përgjithshëm në DhTIK, Shyqiri Bytyqi theksoi se rritja e tatimit në pronë do të pengojë në zhvillimin e bizneseve.
Ish-ministri i Arsimit, Bytyqi ka thënë po ashtu se ri-vlerësimi i pronave për rezidentët nuk janë vlerësime reale.
Ai tha se me plotësim ndryshimin e Ligjit në pronë që pritet të ketë shkallë progresive dhe rritje të tatimit në pronë, do të ndikon tepër negativisht në zhvillimin e qëndrueshmërisë së bizneseve në Kosovë.
“Nga plotësim ndryshimi i Ligjit në pronë që pritet të ketë shkallë progresive dhe rritje të tatimit në pronë do të ndikon shumë negativisht në zhvillimin e qëndrueshmërisë së bizneseve në Kosovë”, theksoi ai.
Bytyqi po ashtu ka shpjeguar rritjen e tatimit në pronë nga 200 mijë në 700 mijë euro.
Në këtë konferencë për media, kryetari i Bordit, Krasniqi theksoi po ashtu se janë të shqetësuar edhe për mënyrën e zbatimit të projektit “SuperPuna”.
Ai theksoi se po kushtëzohen bizneset për të përfituar nga ky projekt, që sipas tij, shumica e bizneseve nuk po arrijnë të marrin mbështetjen nga “SuperPuna”.
Edhe Arsim Selmonmusaj nga DhTIK, tha se nëse qeveria e Kosovës vazhdon me këto politika fiskla, ekziston rreziku që bizneset të ikin nga vendi.
Projektligji për tatimin në pronën paluajtshme është në Kuvendin e Kosovës, i cili ka kaluar në lexim të parë në Komisionin për Buxhet. Shtrenjtimi i tatimit në pronë mbi 100 për qind e në disa raste edhe mbi 700 për qind ka hyrë në fuqi nga janari i këtij viti, i cili është kundërshtuar nga qytetarët, opozita dhe bizneset.