99-shi i PDK-së: Biznesmeni i njohur kosovar në Gjermani Isak Neziri pjesë e listës për deputet
Lajme
Lexohet për: 3 min.
Isak Neziri
1 orë më parë
Linku u kopjua

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka zyrtarizuar listën e kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Kosovës, duke sjellë emra të rinj e të dëshmuar për kontributin e tyre në fusha të ndryshme. Njëri nga emrat më të spikatur të kësaj liste është biznesmeni i njohur Isak Neziri, i cili kandidon me numrin 99.

Neziri është personalitet me reputacion të lartë në botën e biznesit, që ka ndërtuar një karrierë të suksesshme në Gjermani dhe Kosovë. Me përvojën e tij të gjatë në krijimin e sipërmarrjeve të qëndrueshme dhe inovative, ai ka luajtur një rol të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve ekonomike mes diasporës dhe Kosovës. Përkushtimi i tij është shpërblyer me çmime të shumta, përfshirë njohjen prestigjioze nga Bayerni në vitin 2018 si një nga sipërmarrësit më të suksesshëm.

Neziri ka thënë se është i nderuar të ndajë lajmin për kandidaturën e tij e sidomos me një numër që ka domethënie të madhe për të dhe Kosovën, 99.

Ai tha se janë 99 arsye për të votuar PDK-në, duke përmendur vitin e lirisë, vitin e çlirimit të Kosovës, kthimin e shpresës, triumfin e UÇK-së, kthimin e një milion shqiptarëve të shpërngulur me dhunë, Rilindjen tonë Kombëtare dhe themelimin e PDK-së.

Duke synuar forcimin e ekonomisë dhe krijimin e mundësive për të rinjtë kosovarë, Neziri e sheh kandidaturën e tij si një mundësi për të përmbushur misionin e tij jetësor: zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe kthimin e investimeve të diasporës në vendlindje.

“Kandidatura për deputet nga PDK-ja, partisë së Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, më bën edhe më të përulur për të punuar ditë e natë deri në fitoren e madhe të 9 shkurtit.  Falënderoj Partinë Demokratike të Kosovës, kryetarin Memli Krasniqi dhe kryeministrin e ardhshëm, Bedri Hamza për besimin e tyre. Në këtë rrugëtim pres të ndajmë ide dhe të punojmë së bashku për ndryshimin që duam të shohim. Të angazhohemi së bashku për një Kosovë që mundet ma mirë”, ka shkruar Neziri.

Me përfshirjen e Isak Nezirit në listën e saj, PDK forcon angazhimin për të sjellë një përfaqësim të fuqishëm e të bazuar në vlera dhe rezultate konkrete në Kuvendin e Kosovës.

Neziri ka kohë që është duke qëndruar në Kosovë dhe aktivitetin e tij politik të nisur nga Dega e PDK-së në Gjermani, ku është edhe kryetar i degës, tashmë po e zhvillon në vendin tonë duke u takuar me bizneset kosovare dhe duke diskutuar me të njëjtët për zgjerimin e potencialit të tyre dhe mundësitë për depërtim me eksport jashtë Kosovës.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024