Pesëdhjetë e katër persona, përfshirë nxënës dhe mësues, u plagosën të premten pasi ndodhën disa shpërthime brenda xhamisë së një shkolle në Xhakarta të Indonezisë.
Sipas Jakarta Globe, shpërthimet ndodhën rreth orës 12:30 në shkollën e mesme shtetërore “State Senior High School 72” në veri të Xhakartës, duke cituar policinë.
Njësia për çaktivizimin e bombave kreu një inspektim të plotë të zonës pas incidentit, raporton KosovaPress.
Autoritetet ende nuk kanë përcaktuar shkakun e ngjarjes. Sipas transmetuesit tvOne, në vendngjarje u gjetën një armë zjarri me tytë të gjatë dhe një pistoletë.
Sipas Jakarta Globe, pranë vendit të ngjarjes u gjetën edhe objekte të dyshimta si pjesë që ngjanin me një pajisje shpërthyese të improvizuar, një telekomandë, si dhe armë ajrore dhe revolverë.
Policia njoftoi se hetimet janë ende në vazhdim dhe se të gjitha provat do të ekzaminohen.