Detaje nga vrasja në Mitrovicë
Siguri
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Detaje nga vrasja në Mitrovicë
Një person ka humbur jetën, ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur si pasojë e një therjeje me thikë që ndodhi mbrëmjen e së mërkurës në Lagjen e Romëve në Mitrovicë.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka konfirmuar rastin, duke bërë të ditur se viktima ka pësuar plagë në fyt nga një armë e ftohtë – thikë, ndërsa i plagosur ka mbetur edhe vëllai i tij.
Sipas prokurorisë, lidhur me rastin është arrestuar i dyshuari dhe, me vendim të prokurorit kujdestar për Krime të Rënda, është dërguar në mbajtje.
Përmes një njoftimi, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se rasti është raportuar mbrëmjen e 27 majit 2026, rreth orës 22:00, pasi në Spitalin Rajonal të Mitrovicës së Jugut është dërguar një person i therur me thikë.
Mjeku kujdestar ka konstatuar se viktima, mashkull 37-vjeçar, nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë.
Nga therja me thikë është lënduar edhe vëllai i viktimës, i cili pas trajtimit fillestar në emergjencën e spitalit në Mitrovicë është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtejmë.
Sipas stafit mjekësor, gjendja e tij shëndetësore është jashtë rrezikut për jetën.