Dëshmitë që rikthejnë ditët e lirisë në Podujevë
Dëgjoje me zë...
Dëshmitë që rikthejnë ditët e lirisë në Podujevë
Në shënim të 27-vjetorit të Ditës së Çlirimit të Podujevës, ish-ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë kujtuar rrugëtimin e luftës, hyrjen e forcave çlirimtare në qytet dhe sakrificën e dëshmorëve për lirinë e vendit.
Ish-ushtari i UÇK-së, Rafet Llapashtica, tha se Zona Operative e Llapit, ka pasur fokus të rëndësishëm në hyrjen e forcave çlirimtare në Prishtinë dhe Podujevë.
Duke folur për luftën dhe bashkëpunimin me aleatët ndërkombëtarë, Llapashtica tha se drejtësia e kauzës së UÇK-së ishte arsyeja që NATO-ja mbështeti popullin e Kosovës.
Llapashtica kujtoi edhe momentet e tërheqjes së forcave serbe nga Podujeva dhe Kosova, duke theksuar se luftëtarët e UÇK-së dhe NATO-ja monitoruan nga afër procesin pas Marrëveshjes së Kumanovës.
Ndërkaq veterani dhe veprimtari Nebih Balaj, kujtoi ditën e hyrjes në Podujevë pas çlirimit.
“Kam plot emocione sepse bashkë këtë ditë kam ardhur prej zonës së Drenicës. Unë kam qenë pjesë e Drenicës. Edhe kam ardhur me shoqen, e kam prurë këtu, kam takuar arsimtarë, ka ardhur prej Sfeqlës, të gjithë me karroca, me sungjerë e me sende. Edhe para kuvendit të komunës e kam takuar komandantin Kadri Kastratin, ndjerin Sulejman Gashin, edhe ka ardhur një tank i KFOR-it atëherë. Ka qenë një serbosllav prej Sircici, ka prurë çelësat e komunës, e Kadri Kastrati ia ka marrë dhe i ka dhënë afat 10 minuta me lëshuar territorin e komunës sonë. Edhe kemi hyrë në komunë dhe me dy ushtarë kemi shiku a ka ndonjë send të rrezikshëm aty. Pastaj kanë filluar qytetarët me ardhur. Kjo pjesa e Dumincës nuk ka qenë ende e çliruar, por kjo pjesa jugore po. Ka qenë kënaqësia më e madhe që e pritëm. Falë të gjithë atyre që kanë rënë në të gjitha periudhat, por edhe luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.”, tha Balaj.
Duke kujtuar momentet e largimit të forcave serbe, ai tha se çlirimi erdhi më shpejt sesa kishin pritur ushtarët në terren.
“Këtë ditë e pres edhe e ndjej veten krenar para fëmijëve të mi, që në kohët më të rënda, në luftën më të madhe që ka pas ndonjëherë shqiptaria, nuk kam ndenjur duarkryq. Jam përpjekur të bëj diçka për çlirimin e Kosovës e posaçërisht për Llapin, që kemi qenë zonë kufitare, me mbi 120 km kufi. Edhe është karakteristikë që në Llap nuk kemi asnjë shtëpi serbe. Jemi prej komunave të pastra, përjashtim që kemi minoritetin ashkali dhe rom. UÇK-ja u ka dalë në mbrojtje ashkalinjve që sot e gëzojnë lirinë barabar me mua e ndoshta edhe më tepër se unë.”, tha Balaj.
Në fund, Balaj tha se ndihet krenar për kontributin e dhënë gjatë luftës dhe për pjesëmarrjen në përpjekjet për çlirimin e Kosovës.
Dita e Çlirimit të Podujevës u shënua me homazhe, aktivitete përkujtimore dhe organizime kulturore në nderim të dëshmorëve, veteranëve dhe të gjithë atyre që kontribuuan për lirinë e Kosovës.
/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim.
Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.