Pak para vendimit të Gjykatës në Lipjan për veteranin dhe invalidin e luftës së UÇK-së Bekim Metaj dhe fqinji i tij Skender Shahini lidhur me një incident në Magure të Lipjanit, foli për KosovaPress edhe dëshmitari, bashkëfshatari i tyre, Albert Abdullahu.
Ai thotë se personat që dyshohen të jenë të komunitetit rom dhe që dyshohen të kenë krijuar këtë situatë kanë përdorur mjete të forta për t’i sulmuar veteranin Bekim Metën dhe Skender Shahinin.
“Janë ardhur para nja tri ditëve, na kanë ndalur, e kanë këqyrë tokën e vet. Ne kemi qenë te Bekim Metaj, te ushtari i UÇK-së. Janë ardhur me kërcënime pak a shumë. E kanë pasur ata një varrim, një motër e tyre ka vdekur. Janë ardhur, i ka treguar baca Bekim: "Kryeni varrimin, pastaj nëse keni diçka mosmarrëveshje, hajde bisedojmë". Ata kanë marrë masa, janë larguar menjëherë, e kanë parë që ne jemi shumë kallaballëk, kanë menduar që i rrahim ose diçka. Janë larguar, pastaj janë ardhur mbas dy ditëve. Kanë çuar dron përpjetë me këqyrë andej kush është në mahallë. S'ka qëlluar kurrkush, ka qëlluar baca Bekë vetë në bahçe të vet duke punuar. Tani kanë shkuar te Skënder Shahini kanë shkuar. I kanë thënë që kështu e kështu. Ai ka thënë: "Pritni pak se duhet me ardhur djali i vogël për një-dy minuta". Po, janë shkuar tani te Bekimi. Tani prej aty kanë nisur, e kanë kërcënuar, i kanë thënë: "Kurrgjë s'kemi bërë në '99-ën, çfarë kemi me bërë këtë herë". Kush i ka thënë kështu? I ka thënë njëri prej tyre këta që janë brenda. Ju ka thënë, ish-ushtarit i ka thënë: "Kurrgjë s'kemi bërë në '99-ën, çfarë kemi me bërë këtë herë". Edhe në momentin që i ka thënë kështu, normale gjithkush vepron shpejt, edhe baca Bekë ka vepruar menjëherë se normale është ushtar i UÇK-së, i ka ardhur shumë rëndë. Para derës, me thënë. Pastaj tani menjëherë ka nisur përleshja”, tha ai.
Ai pretendoi se personat e përfshirë kishin qenë të përgatitur paraprakisht për konfliktin dhe se kishin përdorur armë zjarri dhe mjete të forta.Ai thotë se pasi kishte ndodhur sulmi, dy ose tre prej personave të përfshirë në incident kishin ikur, disa prej tyre i kishin zënë menjëherë e disa të tjerë më vonë.
Ai pretendon se një fqinje në fshat që sipas tij i përket komunitetit shqiptar i ka strehuar personat që kanë kryer incidentin duke i fshehur ata.
Abdullahu tha se komuniteti i tij vazhdon ta mbështesë Bekim Metën dhe se ai gëzon respekt të madh në Magurë.
Vendimi i Gjykatës në Lipjan për rastin e Skender Shahinit dhe veteranit Bekim Beka pritet së shpejti.