Kryetari i Komisionit Komunal Zgjedhor në Tetovë, Nazmi Dauti tha se deri në ora 09:00 në Tetovë kanë votuar 2300 qytetarë.
“Nga 117 vendvotime në kuadër të KKZ të Tetovës, të drejtën e tyre të votës e kanë shfrytëzuar 2300 qytetarë, apo në përqindje i bie 3.2%”, tha Dauti për RTV 21.
Në mënyrë teorike presidenti mund të zgjidhet edhe në rrethin e parë me atë kandidat i cili do të marrë shumicën e votave nga numri i përgjithshëm i votave, përkatësisht 50% plus një, gjë për të cilën ekzistojnë gjasa të vogla posaçërisht në këto zgjedhje kur votohet për 7 kandidatë.
VMRO DPMNE-ja opozitare në zgjedhje do të garojë me deputetët aktuale Gordana Siljanovska*Davkovën. Lidhja Social Demokrate në pushtet do të garojë me presidentin aktual, Stevo Pendarovski. Në garën zgjedhore, Bashkimi Demokratik për Integrim do të garojë me ministrin e Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ndërsa opozita e bashkuar shqiptare me Arben Taravarin, kryetarin aktual të Gostivarit. Pjesë e garës zgjedhore do të jetë edhe Maksim Dimitrievski, kryetari i komunës së Kumanovës, Stevçe Jakimovski, kryetari i komunës së Karposhit në Shkup dhe Biljana Vankovska, kandidate e partisë “E Majta”.