Lidhja Demokratike e Kosovës është shprehur kritike ndaj Qeverisë së Kosovës për projekt-buxhetin për vitin 2023.
Në seancën plenare, ku po diskutohet për buxhetin, deputeti i LDK-së, Besian Mustafa tha se i njëjti nuk do të ofrojë asnjë zgjidhje për qytetarët e Kosovës. Sipas tij, për shkak të inflacionit, buxheti real është 2.6 miliardë euro dhe jo 3.2 miliardë.
Deputeti opozitar tha se lëvdata e ekzekutivit se kanë buxhetin më të madh në histori, ndodhë secilin vit, pasi Kosova çdo vit ka pasur buxhetin më të madh së vitin paraprak.
“Kemi dëgjuar këtë qeveri se ky qenka buxheti më i madh në histori, por dua t’i rikujtoj se kjo është secilin vit. Edhe vitin e kaluar edhe vitin e ardhshëm do të jetë buxheti më i madh në histori edhe kështu me radhë, pasi jemi shtet i vogël dhe në zhvillim e sipër dhe gjithnjë do të kemi buxhet më të madh. Kjo lëvdata se kemi buxhetin më të mirë ka qëndruar secilin vit që nga 1999 dhe do të vazhdojë kështu me dekada me radhë”, tha Musatafa.