Institucionet përgjegjëse për sigurinë, menaxhimin e emergjencave dhe mbrojtjen e pyjeve kanë ngritur alarmin për rrezikun e shtuar nga zjarret gjatë sezonit veror, duke u bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr.
Në një konferencë të përbashkët për media, përfaqësues të Policisë së Kosovës, Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave, Agjencisë Pyjore të Kosovës, Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës dhe Departamentit të Pylltarisë paralajmëruan se zjarrvëniet, qofshin të qëllimshme apo si pasojë e pakujdesisë, do të trajtohen me seriozitet dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Ai bëri të ditur se gjatë viteve 2025 dhe 2026, Policia e Kosovës ka realizuar 1.222 intervenime në raste zjarresh, ka iniciuar 258 raste penale dhe ka arrestuar 37 persona.
“Andaj, me qëllim që të bëjmë një apel, një thirrje për qytetarët tanë që të kenë kujdes gjatë sezonës verore me shkaktimin e papërgjegjshëm të zjarrtave, jemi thirrur nga drejtori i menaxhimit të emergjencave që bashkarisht të bëjmë këtë konferencë për shtyp, dhe po ashtu t'i bashkërendojmë aktivitetet me qëllim që të kemi sa më pak zjarre, dhe ato zjarre që na lajmërohen t'i menaxhojmë në mënyrë të minimizojmë dëmin që mund ta shkaktojnë gjatë sezonit veror ku zjarret janë më të shpeshta... Do jap edhe disa prej parashikimeve se çka parasheh Kodi Penal me këto dy vepra, se me çka mund të përballen ata që shkaktojnë zjarre dhe normalisht arrijnë të identifikohen dhe të arrestohen nga Policia e Kosovës dërgimit të përcjelljes në prokurori për procedim të mëtutjeshëm. Te rasti i zjarrvënies, neni 322, është i paraparë dënimi nga gjashtë muaj deri në 10 vjet”, tha Hoxha.U.d. i drejtorit të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave, Shefki Avdullahu, tha se Agjencia ka ngritur nivelin e gatishmërisë në të gjitha strukturat e saj.
Ai tha se vetëm gjatë sezonit të kaluar në Kosovë janë regjistruar 11.466 vatra zjarri, duke kërkuar angazhim të gjerë të institucioneve qendrore dhe lokale.
Ndërkaq, hidrologu i lartë në Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës, Bashkim Kastrati, tha se institucioni monitoron në kohë reale kushtet meteorologjike përmes 24 stacioneve automatike, të cilat furnizojnë me të dhëna platformën kombëtare për menaxhimin e zjarreve pyjore.
Ndërsa gjatë vitit 2025 janë përfshirë nga zjarret 2.230 hektarë pyje bëri të ditur U.d. i drejtorit ekzekutiv të Agjencisë Pyjore të Kosovës, Menderes Ibra, i cili tha se prej tyre 1.37- hektarë ishin pyje shtetërore e 863 hektarë pyje private.
Sipas tij, dëmet nga zjarret nuk kufizohen vetëm në aspektin ekonomik.
Ndërsa drejtori i Departamentit të Pylltarisë, Tahir Ahmeti, tha se temperaturat e larta dhe lagështia e ulët e tokës rrisin ndjeshëm rrezikun për shpërthimin e zjarreve, duke kërkuar koordinim më të madh institucional dhe bashkëpunim me qytetarët.
“Ne po futemi në një periudhë ku temperaturat janë të larta, lagështia e tokës është e ulët, dhe ka potencial të madh për t'u shkaktuar zjarri. Në aspektin legjislativ, ligji për pyjet përcakton se ndezja e zjarreve apo e këtyre mjediseve me drunj sanksionohet me ligj, edhe të gjithë ata persona që bëjnë një veprim të tillë, ballafaqohen me fuqinë e ligjit... Masat preventive për mbrojtjen e pyjeve nga zjarri përcaktohen me planet menaxhuese dhjetëvjeçare. Është obligim me ligj që institucionet që menaxhojnë me pyjet të kenë këto plane, ato t'i implementojnë në mënyrë se si janë të përshkruara aty. Dhe, varësia nga kushtet klimatike e bën këtë proces mjaft kompleks për faktin se pyjet gjithmonë edhe në të kaluarën kanë qenë ekosistemet më të rrezikuara nga degradimi nga zjarri”, u shpreh ai.