Raportimi i komisioneres të Agjencisë për Informim dhe Privatësi në Komisionin për Çështje të Sigurisë është karakterizuar me debat mes deputetëve të pozitës dhe opozitës. Kryetarja e kësaj agjencie, Krenare Sogojeva Dermaku ka prezantuar raportin vjetor para anëtarëve të Komisionit për Çështje të Sigurisë, i cili pasoi me kritika të deputetëve të partive opozitare.
Paraprakisht, komisionerja Krenare Sogojeva Dermaku ka njoftuar për numrin e ankesave për realizimin e të drejtës për qasje në dokumenteve publike por edhe atyre për mbrojtjen e të dhënave personale.
Ky raport është kritikuar nga deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, e cila tha se është vetëlavdërues, duke hedhur dyshime edhe mbi pavarësinë e plotë instiucionale të institucionit.
“Mendoj se raporti është tërësisht vetëlavdërues. Flitet për arritje, angazhim dhe profesionalizëm, por mungon një analizë e sinqertë e dështimeve. Nuk dëgjova asnjë rast ku agjencia ka dështuar ta mbrojë qytetarin dhe e dini që ka shumë njerëz që flasin për këtë. Një raport serioz do të duhej të tregonte jo vetëm sukseset por edhe përgjegjësitë dhe mangësitë. Numra pa kontekst: Janë paraqitur shumë statistika (1085 ankesa, 367 inspektime), por nuk dihet sa prej tyre kanë prodhuar ndikim real. Nuk ka analizë mbi cilësinë e vendimeve dhe nuk krahasohet me vitet paraprake. Numrat pa analizë për mua janë më shumë propagandë sesa llogaridhënie institucionale...38:00 Mungesa e pavarësisë së dukshme: Edhe pse agjencia quhet e pavarur, ka raste konkrete ku ka sfiduar institucione të fuqishme. Nuk shihet rol aktiv në raste të ndjeshme publike, kjo ngrit dilemat për guxim institucional”, ka thënë deputetja Musliu.“Më vjen shumë keq për këtë mënyrë të qasjes tuaj personale, duke e ditur që njihemi edhe në raporte të tjera edhe njihni shumë mirë edhe profesionalisht. E para po nis prej transparencës. Më vjen shumë keq nëse ka një mendim që ta ka paraqit edhe raporti, e sidomos prej anës tuaj si deputete e kahershme e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e ku e dini shumë mirë që kjo agjenci nuk ka funksionuar me vite të tëra, e pavarësia institucionale bash është pavarësi të cilën e kemi parë secili. Këtë mund ta sheh dikush që nuk ka sy kritik, por dikush që me të vërtetë ka thjesht tendenca personale, edhe këtë po ta them direkt, më fal. E para, cilat janë institucionet e rëndësishme? Prej Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës, që bash askush s’ka guxuar me i prek, pikërisht për transparencën e kësaj agjencie, është gjobit Agjencia për Intelegjencë. Janë gjobit Ministria e Jashtme, janë gjobit komunat, janë gjobit institucionet publike të gjitha ato që nuk kanë dhënë qasje. Janë gjobit kontrollues privatë, janë gjobit KESCO, është gjobit ujësjellësi. Krejt ato institucione të cilat kanë shkelje, që s’kanë ofruar qasje, ose dy nuk i kanë mbrojtur të dhënat”, është kundërpërgjigjur ajo.
Pas replikës ka reaguar sërish deputetja Musliu, duke i thënë komisioneres se “agresiviteti yt ndaj analizës time flet mjaftueshëm”.
Edhe deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Albana Bytyqi u morr me replikën e komisioneres Krenare Sogojeva Dermaku pas kritikave që ia bëri raportit deputetja Musliu.
Debati ka vazhduar edhe më tej se kaq, kur deputetja e PDK-së, duke iu drejtuar deputetëve të shumicës parlamentare tha se një ditë pushtetit të tyre do t’i vie fundi.
“Dua t’i përgjigjem deputetes Musliu që tha ‘sot jeni, nesër s’jeni’, nuk ta mohoj askush fjalën, më fal, më fal, po më lejo tash, nuk ta mohoj në këtë komision që e udheheqi unë, nuk ta mohoj askush fjalën, ta jep rregullorja por nuk tu mohua asgjë që të thoni se ju jeni shumicë po bëni çfarë po doni. Të lutem Gane e the, keni të drejtën të komentoni, të bëni pyetje, andaj mos thoni se e keni mundësinë”, tha ai.
Komisioni për Çështje të Sigurisë ka vazhduar mbledhjen me dyer të mbyllura tek pika e të ndryshmeve. /Sh.Pajaziti