Ish-deputeti i Aleancës, Daut Haradinaj, ka vizituar Bekim Metajn, veteran i Ushtrisë së Kosovës, duke e cilësuar atë si "simbol të dinjitetit kombëtar e historik".
Haradinaj tha se Metaj, pas 25 vitesh shërbim në uniformë, u përball në Magurë të Lipjanit me 21 persona të ardhur nga Serbia, për të cilët përdori termin "kriminelë", duke pretenduar se tre prej tyre kishin qenë pjesë e formacioneve paramilitare serbe gjatë regjimit të Slobodan Millosheviqit.
Ai bëri të ditur se gjatë vizitës, së bashku me Gazin, Binakun dhe Kushtrimin, i shprehën Bekim Metajt dhe familjes së tij mbështetje dhe konsideratë.
Haradinaj gjithashtu kritikoi institucionet, duke deklaruar se "shteti nuk duhet të heshtë përballë këtij fenomeni që vetë e krijoi".Dje, banorët e Magurës së Lipjanit kanë nënshkruar një peticion, përmes të cilit kërkojnë që personat e përfshirë në incidentin e fundit në fshat të mos lejohen të kthehen më në Magurë.
Peticioni u nënshkrua gjatë një takimi të mbajtur me banorët, ku u diskutuan zhvillimet e fundit lidhur me incidentin në të cilin mbeti i lënduar veterani i UÇK-së, Bekim Meta. Në përfundim të takimit u vendos që peticioni t'i dorëzohet Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë.