Dashuria e vajzës me djalin në karrocë, shfaqet premiera "Will you marry me"
Lajme
Lexohet për: 2 min.
1 muaj më parë
Linku u kopjua
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Personat me Aftësi të Kufizuar, sot u shfaq premiera e filmit të metrazhit të shkurtër "Will you marry me", me regjisor Alban Makolli dhe producent ekzekutiv, Orhan Hajrizi.
Një vajzë e dashuruar me një djalë në karrocë, dashuria e të cilëve fillimisht nuk pranohet nga nëna e vajzës, por më pas gjithçka rregullohet, është tematika mbi të cilën është realizuar ky film.
Me rastin e shfaqjes së kësaj premiere, kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, tha se kjo ditë rikujton përgjegjësinë e përbashkët për një shoqëri gjithëpërfshirëse, ku çdo individ gëzon të drejtën dhe mundësinë e barabartë.
Përfaqësuesi i organizatës “Handikos”, Eljesah Terbunja derisa falënderoi organizatorët për shfaqjen e premierës, tha se kushtet e personave me aftësi të kufizuara janë përmirësuar, por ka ende punë për t’u bërë.
Ndërkaq, producenti ekzekutiv i filmit “Will you marry me”, Orhan Hajrizi tha se ky projekt është më shumë se një histori dashurie. Ai potencoi se ky film është një testament i mundësive të pafundme që arti ofron për të reflektuar mbi jetën, dashurinë dhe marrëdhëniet ndër-njerëzore.
Rolet kryesore në film i luajnë aktorët Oltion Budakova, Verona Mirena, Anisa Ismajli dhe Xhevdet Doda.