Edicioni i tretë i Festivalit të Filmave Malor BANFF mbahet në Cineplexx Prishtina më 4 dhe 5 tetor, i cili do të jetë një mundësi e artë për të përjetuar dy net adrenalinën e filmave malorë dhe të aventurës nga e mbarë bota.
Në programin dyditor, në ora 19:00, shfaqen 16 filma të shkurtër dokumentarë, të cilët para publikut vendas sjellin adrenalinë, shpirtin sportiv, ekspedita nga destinacione të rralla, sporte ekstreme, ngjitje, vrapim, skijim, surf, paraglide dhe aventura tjera nga terrenet më sfiduese në botë.Qëllimi i programeve RED dhe BLUE është të shfaqë filma inspirues të atletëve të sporteve ekstreme, që mbushin audiencën me adrenalinë dhe bëjnë bashkë komunitetin e sporteve ekstreme ne vend.
“Ky është edicioni i tretë i Festivalit të Filmave Malor BANFF, edhe sivjet festivali ka për qëllim të inspirojë rininë kosovare të merret me aktivitete sportive, të motivojë ata ta ruajnë natyrën dhe ta shohin atë si pjesë të pandashme të aktivitetit sportiv,” tha Besnik Shala, drejtori i Festivalit BANFF në Kosovë.
Kjo ngjarje kulturore, e artit, sportit dhe aventurës përkrahet nga Cineplexx Kosova, Swiss Development Corporation (SDC), Ambasada Kanadeze në Kroaci dhe Kosovë, dhe RED BULL. Ky është viti i parë i organizimit të festivalit pa masa limituese të imponuara nga COVID-19.