Vita publikon analizat: 100% qumësht
Biznes
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Vita publikon analizat: 100% qumësht
Vitaa
Foto Ilustruese
06/07/2026 - 20:21
Linku u kopjua

Qumështorja Vita bën të ditur se ka pranuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës (AUV) rezultatet e analizave të mostrave të produkteve të saj, të cilat, sipas kompanisë, konfirmojnë se produktet e qumështit Vita nuk përmbajnë qumësht pluhur dhe as vaj palme, përcjell KosovaPress.

Në një njoftim për media, kompania tha se rezultatet i janë përcjellë përmes një emaili nga AUVK, pas protestës së fermerëve të mbajtur gjatë ditës së sotme.

Sipas Vita-s, gjatë takimit të zhvilluar ndërmjet përfaqësuesve të fermerëve, ministrit të Bujqësisë dhe përfaqësuesve të kompanisë, është arritur marrëveshje që përkohësisht të vazhdojë grumbullimi i qumështit nga fermerët.

Kompania theksoi se këtë vendim e ka marrë në interes të fermerëve, pasi ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja ka premtuar se rezultatet e analizave të mostrave të marra më 2 korrik 2026 do të publikohen jo më larg se 13 korriku. Deri në atë datë, sipas njoftimit, Vita do të vazhdojë grumbullimin e qumështit.

“Në anën tjetër, gjatë takimit të sotëm ndërmjet përfaqësuesve të fermerëve, Ministrit dhe përfaqësuesit e Qumështores Vita, ne si Qumështore Vita u dakorduam që të vazhdojë përkohësisht mbledhja e qumështit nga fermerët, ku këtë vendim e kemi marrë për hirë të fermerëve dhe për shkak se Ministri Muja premtoi se rezultatet e analizave të mostrave të marra më datë 02.07.2026 do të publikohen jo më largë se 13.07.2026, ku deri më këtë datë, Vita do të vazhdojë mbledhjen e qumështit”, thuhet në njoftimin e Vita-s.

Qumështorja Vita u shpreh se, së bashku me fermerët, ka qenë dhe do të mbetet në mbështetje të konsumatorëve, duke ofruar produkte cilësore.

Po ashtu, kompania falënderoi konsumatorët për besimin, duke theksuar se do të vazhdojë të jetë pranë tyre, siç ka bërë gjatë 23 viteve të veprimtarisë së saj.

Sot, gjatë ditës fermerët kanë protestuar para Ministrisë së Bujqësisë duke kërkuar që të nis grumbullimi i qumështit, pasi prej katër ditësh është ndaluar përkohësisht prodhimi i tij.

Kjo protestë vjen pas mbylljes  së përkohshme të fabrikës “Vita” në Istog, të enjten për shkak të një aksioni inspektues nga AUV dhe Ministria e Bujqësisë.

Përfaqësuesit e qumështores “Vita”, kanë deklaruar ditë parë se, vendimi për pezullimin e përkohshëm të punës është marrë nga vetë kompania dhe jo nga institucionet, ndërsa kanë kërkuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AVUK) që t'i publikojë sa më shpejt rezultatet e analizave të mostrave të marra gjatë kontrollit të fundit.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026