27 vjet më parë, në datën e sotme, më 10 qershor 1999, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi Rezolutën 1244, që ishte dokumenti i cili shënoi fundin formal të luftës në Kosovë.
Po ashtu, ky “ligj” i OKB-së, krijoi bazën juridike për vendosjen e forcave ndërkombëtare të sigurisë dhe administratës civile ndërkombëtare në vendin që pikërisht në këtë ditë, po kalonte nëpër “tehun tranzicional” nga lufta, në paqe.
Përmes këtij dokumenti, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së autorizohej të emëronte një Përfaqësues Special, i njohur ndryshe edhe si shef I UNMIK-ut, për të mbikëqyrur zbatimin e pranisë civile ndërkombëtare, ndërsa shtetet anëtare dhe organizatat ndërkombëtare autorizoheshin të krijonin praninë ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë.
1244-shi hapi rrugën për vendosjen e KFOR-it, forcës paqeruajtëse të udhëhequr nga NATO, me mision garantimin e sigurisë dhe krijimin e një mjedisi të qëndrueshëm për qytetarët e Kosovës, pas përfundimit të konfliktit.Në tekstin e rezolutës përcaktohet se prania civile ndërkombëtare do të siguronte një administratë të përkohshme për Kosovën, duke krijuar kushtet që qytetarët të ushtronin vetëqeverisje substanciale dhe të ndërtoheshin institucionet demokratike, më pastaj.
Rezoluta 1244 parashihte gjithashtu që prania civile dhe ajo e sigurisë të vendoseshin fillimisht për një periudhë 12-mujore, me mundësi vazhdimi derisa Këshilli i Sigurimit të vendoste ndryshe.
OKB-ja vazhdon ta ketë misionin e saj në Kosovë, UNMIK-un, por pa ndonjë kompetencë për të marrë ndonjë vendim për shtetin e ri.