Klubi i Chelsea-t ka mbyllur hetimin e tij të brendshëm duke identifikuar personin që nxori informacione sekrete mbi formacionin para dy ndeshjeve humbëse në Champions League kundër PSG-së.
Trajneri Liam Rosenior konfirmoi lajmin gjatë konferencës për shtyp para ndeshjes me Evertonin, duke saktësuar se "spiuni" nuk ishte pjesë e skuadrës së lojtarëve, por një burim i jashtëm. "Ne e dimë se kush është," deklaroi Rosenior për Daily Mail Sport, duke shtuar se situata tashmë është zgjidhur: "Nuk erdhi nga ndonjë qëllim keqdashës ndaj meje apo ekipit. Ne e dimë se nga erdhi dhe e kemi trajtuar situatën."
Megjithatë, lajmet nuk janë krejtësisht pozitive për "Blutë", pasi skuadra po përballet me lëndime të reja; Trevoh Chalobah dhe Filip Jorgensen do të mungojnë për disa javë, ndërsa kapiteni Reece James mbetet jashtë për sfidën ndaj Evertonit për shkak të një problemi në kofshë, ndonëse trajneri siguroi se "nuk është diçka serioze."
KosovaPress