Çfarë fiton Kosova nga Bordi i Paqes për Gazën?
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Çfarë fiton Kosova nga Bordi i Paqes për Gazën?
616750351_1426463388838196_4654457350993989645_n
22/01/2026 - 17:24
Linku u kopjua

Pjesëmarrja e Kosovës si vend themelues në Bordin e Paqes për Gazën, mekanizëm i iniciuar nga presidenti amerikan Donald Trump, po shihet si një mundësi e mirë për forcim të pozitës ndërkombëtare të vendit, si dhe për lobim diplomatik te vendet mosnjohëse.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ishte njëra nga 19 udhëheqësit botërorë që nënshkruan themelimin e këtij bordi të enjten e 22 janarit ne Davos të Zvicrës, i cili synon rindërtimin e Gazës pas luftës dyvjeçare shkatërruese. Në këtë iniciativë multilaterale janë përfshirë shtete nga rajone të ndryshme të botës, mes tyre edhe shtatë vende mosnjohëse të Kosovës, si Argjentina, Azerbajxhani, Indonezia, Pakistani, Mongolia dhe Uzbekistani.

Ish-diplomatja Alma Lama e vlerëson pjesëmarrjen e Kosovës si pozitive, por shpreh rezerva lidhur me qartësinë dhe rezultatet konkrete të kësaj iniciative.

Megjithatë, Lama thekson se vlera kryesore e këtij forumi për Kosovën qëndron në mundësinë për të kontaktuar drejtpërdrejt me liderë të shteteve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e saj. Ajo konsideron se kjo platformë mund të shfrytëzohet për të kërkuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në mënyrë që ato të ushtrojnë ndikim te aleatët e tyre për njohje të reja të Kosovës.

Edhe ish-diplomati Albert Prenkaj e sheh pjesëmarrjen e Kosovës në këtë platformë si të rëndësishme, veçanërisht për shkak të afërsisë me SHBA-në. Sipas tij, Bordi i Paqes, ashtu siç është prezantuar nga presidenti Trump, mund të sfidojë edhe rolin tradicional të Kombeve të Bashkuara.

Prenkaj thekson se synimi afatgjatë i Kosovës mbetet rritja e numrit të njohjeve ndërkombëtare, në mënyrë që të arrijë një numër kritik shtetesh që do t’i hapte rrugë aplikimit për anëtarësim në OKB. Në këtë kontekst, sipas tij, afrimi apo rikthimi më i fuqishëm i Kosovës në orbitën e SHBA-së shihet si zhvillim pozitiv.

Përveç lobimit diplomatik, Lama vlerëson se Kosova mund të kontribuojë edhe me përvojën e saj në procesin e shtet-ndërtimit dhe menaxhimit të periudhës së pasluftës. Ajo përmend përvojën me administrimin ndërkombëtar të UNMIK-ut si një shembull që mund të shërbejë për vende të tjera që dalin nga konflikti, nëse një kontribut i tillë i kërkohet Kosovës.

Në ceremoninë e themelimit të Bordit të Paqes në Davos të Zvicrës, morën pjesë udhëheqës nga gjithsej 20 shtete, të cilat janë pajtuar t’i bashkohen kësaj nisme.

Në ceremoni morën pjesë udhëheqës nga Kosova, Bahrejni, Argjentina, Armenia, Azerbajxhani, Belgjika, Bullgaria, Egjipti, Hungaria, Indonezia, Jordania, Kazakistani, Mongolia, Pakistani, Paraguai, Katari, Arabia Saudite, Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Uzbekistani. Që të gjitha këto shtete janë pajtuar që t’i bashkohen Bordit të Paqes.

Bordi i Paqes është një mekanizëm ndërkombëtar, i parashikuar në një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në nëntor 2025, që synon të mbikëqyrë administrimin e përkohshëm të Gazës dhe rindërtimin e institucioneve civile./KosovaPress/


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026