Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Hajrulla Çeku prezantoi buxhetin e këtij viti për sportin, si dhe zbuloi se dy dokumentet qendrore të reformës sportive, strategjinë shtetërore dhe ligjin e ri për sportin që priten të miratohen së shpejti.
Çeku tha se ligji anti-doping veçse është miratuar, ndërsa në procedurë të miratimit është plotësimi i ligjit për parandalimin e dukurive negative në sport, kurse tha se është vendosur një standard themelor i integritetit në sport, që është licencimi i federatave të sportit me kritere shumë të forta, raporton KosovaPress.
Ndërkaq, ministrit Çeku i ka reaguar deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, i cili tha se procesi i licencimit do të duhet të nis në vitin 2023.
“Doemos që mbështes një proces të licencimit, mirëpo me këtë proces të licencimit, klubeve sportive të futbollit i janë humbur 3.2 milionë euro në vitin 2022, për shkak të një vendimi që ministri e merr në fund të vitit 2022 për ta ndërprerë dhënien e vërtetimeve për sponzorizim derisa procesi është në vazhdim e sipër dhe kjo i ka shkaktuar dëme të mëdha të futbollit të Kosovës, duke ua pamundësuar që të marrin vërtetime për sponzorizim ata të cilët vetëm kishin kontrata valide. Kjo nuk do të duhej të ndodhte për vitin 2022. Si proces dhe duhet të vazhdonte në vitin 2023, pasi Federata e Futbollit nuk ishte federatë e licencuar dhe ky është një vendim i gabuar i ministrit Çeku”, tha ai.
“Për sponsorizim, duhesh me qenë i licencum për me përfitu nga ligji i sponsorizimit. Qysh me marr sponsorizim pa licencim? E merr licencën, i merr edhe sponsorizimin”, tha Çeku.
Po ashtu, Çeku tha se njëra nga angazhimet kryesore të MKRS-së ka qenë promovimi i Kosovës si organizatore e ngjarjeve ndërkombëtare sportive, dhe këtë pozicion do ta fuqizojë kandidatura për Lojërat Mesdhetare
Sa i përket licencimit të federatave të sportit, bujë të madhe ka bërë Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), e cila ende nuk është licencuar nga MKRS-ja, dhe tani klubet rrezikojnë që të humbasin sponsorët.