“Cat Group” nis punën në Suharekë, një investim nga diaspora që pritet të rrisë prodhimin vendor dhe të hapë vende të reja pune
Lajme
Lexohet për: 7 min.
Dëgjoje me zë...
“Cat Group” nis punën në Suharekë, një investim nga diaspora që pritet të rrisë prodhimin vendor dhe të hapë vende të reja pune
shiriti-suharek
28/03/2026 - 15:20
Linku u kopjua

Në një ceremoni solemne të mbajtur në Suharekë, është bërë inaugurimi i fabrikës “Cat Group”, një investim i rëndësishëm nga diaspora që pritet të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik dhe rritjen e kapaciteteve prodhuese në Kosovë. Ky projekt po konsiderohet si një hap konkret drejt fuqizimit të industrisë vendore dhe krijimit të vendeve të reja të punës.

“Cat Group” vjen si një nga investimet më domethënëse në sektorin prodhues, duke u fokusuar në prodhimin e materialeve për izolim ndërtimor të shtëpive, një segment kyç për zhvillimin e qëndrueshëm të ndërtimit dhe eficiencës energjetike.

Pronari i fabrikës, Xhavit Krasniqi, theksoi rëndësinë e këtij investimi dhe lidhjen e tij të fortë me vendlindjen, duke e cilësuar këtë projekt si fillim të një rrugëtimi më të madh për të ardhmen ekonomike të vendit.

“Pavarësisht se ku na qon rruga e jetës, një pjesë e zemrës sonë ka mbetur gjithmonë këtu. Sepse njeriu mund të ndërtojë jetën e tij në shumë vende të botës, por vendlindja mbetet gjithmonë vendi ku shpirti i tij gjen qetësinë më të madhe të saj. Të ndërtosh diçka në vendlindje nuk është vetëm një investim apo një projekt, është një kontribut për të ardhmen dhe për një qëllim për ekonominë dhe zhvillimin e shtetit tonë. Për të ardhmen mund t’ju them vetëm edhe një gjë. Ajo që kemi ndërtuar sot është vetëm fillimi, sepse projektet e mëdha nuk ndërtohen vetëm për të sotmen, ato ndërtohen për të ardhmen, për brezat që vijnë, për zhvillimin ekonomik të vendit tonë”, tha ai.

Ai shtoi se beson fuqishëm se Kosova ka rini të fortë, energji dhe kapacitete për të ndërtuar industri që luajnë rol të rëndësishëm në tregjet jo vetëm të brendshme por edhe ato evropiane.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, vlerësoi se ky investim dëshmon hyrjen e Kosovës në një fazë të re të zhvillimit ekonomik dhe industrial, duke theksuar rolin e rëndësishëm të sektorit privat dhe të diasporës në këtë proces.

Hapjen e këtij biznesi, sipas presidentes e bën të veçantë edhe vetë Komuna e Suharekës, ku sipas saj kjo komunë ka një traditë të konsoliduar në zhvillimin ekonomik dhe njihet për biznese që ndër vite kanë operuar me sukses.

Ajo theksoi se investime të tilla kontribuojnë në rritjen e prodhimit vendor, uljen e varësisë nga importi dhe krijimin e mundësive për të rinjtë në vend.

“Ky investim i rëndësishëm në sektorin prodhues dëshmon se vendi ynë ka potencial të jashtëzakonshëm për të ndërtuar industri konkurruese, për ta fuqizuar prodhimin këtu në Kosovë dhe për ta ulur edhe varësinë nga importi. Ajo çfarë bëhet në Kosovë nëpërmjet sektorit privat është vetë themeli i një ekonomie të qëndrueshme, ngase krijon vlerë brenda vendit, rrit kapacitetet tona dhe forcon pavarësinë ekonomike. E një nga përfitimet më të drejtpërdrejta të këtij projekti është punësimi. Vendet e reja të punës që po krijohen sot janë mundësi reale për të rinjtë tanë që ta ndërtojnë jetën dhe karrierën e tyre pikërisht këtu në Kosovë. Kësaj i jep një dimension të veçantë pikërisht fakti që ky investim po bëhet nga mërgata jonë. Ky projekt bart edhe një mesazh të fuqishëm për gjithë mërgatën tonë. Tregon se Kosova nuk është vetëm vendi ku mërgata jonë kthehet për pushime e për vizita familjare por edhe vendi ku mund të investojnë, ndërtojnë dhe krijojnë perspektivë afatgjatë për veten dhe familjet”, u shpreh ajo.

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, foli për transformimet që ka pësuar kjo komunë në vitet e fundit dhe rëndësinë e këtij investimi.

“Suhareka po ndryshon sepse ka njerëz punëtorë, i ka njerëzit e mirë. Suhareka, në dekadën e fundit, ka ndryshime shumë të mëdha. Ky është qëllimi kryesor, ta zhvillojmë vendin ku presim t’i hapim edhe 940 vende të reja pune. Kjo është për ne shumë me rëndësi, që të kemi për të rinjtë dhe të rejat tona vende të reja pune në Suharekë. Kur jemi bashkë, jemi më të fortë. Dhe kam edhe një fjalë: po më vjen mirë që bizneset e Suharekës po punojnë shumë dhe po na zbardhin fytyrën edhe neve, kështu që Suhareka po ndryshon”, tha ai.

Ndërkaq, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, e cilësoi këtë investim si dëshmi të qartë të kapaciteteve të sektorit privat për të investuar në teknologji moderne dhe për të rritur konkurrueshmërinë në tregjet rajonale dhe evropiane.

“Hapja e kësaj linje të prodhimit dëshmon qartë potencialin dhe kapacitetet të cilat i posedon sektori privat, për të investuar në teknologji moderne dhe për të krijuar një vlerë të shtuar për ekonominë tonë. Andaj, ky hap konkret është edhe një forcim i industrisë vendore dhe rritjes së konkurrencës si në tregun rajonal, po ashtu edhe në tregun e Bashkimit Evropian. Në veccanti, ky investim kontribuon drejtpërdrejt në krijimin e vendeve të reja të punës dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik duke filluar prej nivelit komunal, po ashtu edhe në nivel shtetëror”, theksoi Rafuna.

Ndërkaq, një mesazh emocional gjatë ceremonisë pati edhe bashkëshortja e pronarit, Shqiponja Krasniqi, e cila rikujtoi sfidat dhe sakrificat e bëra ndër vite për ta realizuar këtë projekt, duke theksuar se dashuria për njëri-tjetrin dhe për Kosovën ka qenë forca që i ka mbajtur përpara.

“Ka pasur ditë të vështira. Ka pasur sakrifica që nuk ia kemi treguar askujt. Ka pasur momente kur rruga dukej shumë e gjatë, po ndoshta edhe e pamundur. Por ishte diçka që nuk na lejoi me u dorëzua asnjëherë. Dashnia për njëri-tjetrin dhe dashnia e madhe për Kosovën - Kjo dashni na ka mbajt gjallë ëndrrën. Na ka dhanë forcë me vazhdu edhe atëhere kur ka qenë më së vështiri. Dhe sot ne jemi këtu. Sot nuk po hapim vetëm një fabrikë. Sot po hapim një kapitull të ri të jetës sonë”, u shpreh ajo.

Një mysafire nga Zvicrra Frau Gudrun Lindner theksoi se Xhaviti pronari i kësaj fabrike, nga një fillestar në profesion, është shndërruar në një person të vëmendshëm dhe me ndikim pozitiv.

“Nga maji i 2019-ës e njoh zotëri Xhavit Krasniqin, është një koleg i burrit tim, Tonit. Atëherë, para shumë viteve, ka filluar si izolier i ri, ndërsa sot Xhaviti është një person shumë interesant dhe i vëmendshëm. Xhaviti me gruan e tij, Shqiponjën, na kanë bërë që ta njohim këtë vend, Kosovën, dhe na kanë afruar me njerëzit këtu. Punët dhe produktet e këtij vendi na kanë fascinuar, saqë ne për punën e drurit në Zvicër (për dritare, pllaka dhe kuzhinë), i kemi marrë prej këtu dhe i kemi sjellë në shtëpinë tonë” tha ajo.

“Cat Group” është një nga investimet më domethënëse në sektorin prodhues, duke u fokusuar në prodhimin e materialeve për izolim ndërtimor, një segment kyç për zhvillimin e qëndrueshëm të ndërtimit dhe eficiencës energjetike. Pas këtij investimi qëndron Xhavit Krasniqi, një mërgimtar nga Zvicra.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026