Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, duke komentuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, tha se është një vendim që njëkohësisht e balancon situatën dhe blen kohë për institucionet që ta përmbyllin procesin.
“Aktgjykimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese rikonfirmoi disa parime për afatet kushtetuese, sidomos në raport me zgjedhjen e Presidentit. Jo pse ato nuk ishin të kuptueshme si të tilla edhe më herët, por sepse, edhe një herë tjetër, u tentua që dispozitat kushtetuese të keqpërdoren për arsyetime politike.
Së dyti, dhe kjo është pika kryesore, Gjykata e mbyll përfundimisht “dilemën” mes 30 dhe 60 ditëve. Ato nuk janë dy afate që përdoren veçmas, por një mekanizëm i vetëm. Afati 60-ditor zhvillohet në funksion të afatit 30-ditor. Kjo nënkupton që procedura duhet të fillojë shumë më herët. Nuk mund të pritet dita e fundit e afatit 30-ditor, të thuhet se është nisur procedura dhe pastaj të kërkohen edhe 60 ditë të tjera. Thënë thjeshtë, totali është 60 ditë, ku 30 ditët e fundit janë zonë e mbyllur që nuk mund të tejkalohet.
Së treti, Gjykata vendos një standard të qartë. Koha kushtetuese nuk fillon kur Kuvendi vendos të veprojë, por kur ai është në gjendje të veprojë. Prandaj edhe në këtë rast nuk ka 60 ditë të reja, por vetëm kohë të mbetur nga një afat që ka filluar më herët, i cili ishte i kufizuar nga fakti që nuk kishte Kuvend të konstituar në një periudhë që do të mundësonte shfrytëzim të plotë të afatit kushtetues.